Presidenti amerikan Donald Trump vendosi të nisë ofensivën e shkurtit kundër Iranit, pavarësisht paralajmërimeve nga drejtues të lartë të inteligjencës, administratës dhe ushtrisë amerikane se një konflikt i tillë mund të shkaktonte një krizë globale energjetike dhe të sillte në pushtet një udhëheqje edhe më radikale në Teheran.
Sipas një raportimi të “The Wall Street Journal”, të bazuar në persona të njohur me takimet e zhvilluara para nisjes së luftës, drejtorja e atëhershme e Inteligjencës Kombëtare, Tulsi Gabbard, e kishte paralajmëruar Trumpin se vrasja e liderit suprem të Iranit mund të çonte në ardhjen në pushtet të një pasuesi më radikal dhe të shkaktonte mbylljen e Ngushticës së Hormuzit.
Kjo rrugë ujore është një prej arterieve më të rëndësishme të tregtisë globale të energjisë, pasi përmes saj transportohet një pjesë e konsiderueshme e naftës dhe gazit në botë.
Edhe nënpresidenti amerikan JD Vance kishte mbështetur një qasje më të kujdesshme, duke kërkuar që negociatat diplomatike të kishin përparësi ndaj një konflikti ushtarak. Sipas tij, një marrëveshje do të ishte më pak e kushtueshme sesa një luftë me pasoja të vështira për t’u menaxhuar.
Ndërkohë, drejtues të lartë ushtarakë, mes tyre sekretari i Mbrojtjes Pete Hegseth dhe gjenerali Dan Caine, e kishin informuar Trumpin për mundësitë e sulmeve të fuqishme ndaj Iranit. Megjithatë, zyrtarë të tjerë ngritën shqetësime për rezervat e municioneve dhe rrezikun që ushtria amerikane të përballej me një forcë të mbingarkuar.
Sipas “Wall Street Journal”, Trump i hodhi poshtë këto shqetësime dhe besonte se ushtria amerikane mund të përballonte çdo problem që mund të shfaqej gjatë konfliktit.
Raportimi pretendon gjithashtu se presidenti amerikan fillimisht ishte i kënaqur me nisjen e luftës. Ai raportohet se ndodhej në Mar-a-Lago për një aktivitet për mbledhje fondesh kur u informua për vrasjen e liderit suprem iranian të atëhershëm, Ali Khamenei.
Megjithatë, situata ndryshoi ndërsa çmimet e karburanteve u rritën dhe konflikti filloi të ngecej. Udhëheqësit e Arabisë Saudite dhe Katarit i bënë presion Shtëpisë së Bardhë për të kërkuar një zgjidhje diplomatike, ndërsa sondazhet e brendshme tregonin se rreth 80 për qind e amerikanëve mbështesnin një marrëveshje për t'i dhënë fund luftës.
Këto zhvillime, së bashku me shqetësimet e disa republikanëve për pasojat politike të një lufte të zgjatur në zgjedhjet e nëntorit për Kongresin, ndikuan në vendimin e Trumpit për të ndjekur armëpushimin e përkohshëm të qershorit.
Ndërkohë, afati 60-ditor për negociatat bërthamore përfundoi më 17 gusht pa një marrëveshje përfundimtare. Administrata amerikane është rikthyer më pas te operacioni “Economic Outcast”, një fushatë presioni ekonomik që synon dobësimin e qeverisë iraniane përmes sanksioneve dhe një bllokade të vazhdueshme detare.






















