Nga Amos Chapple
Autoritetet në Bjellorusi duket se po përpiqen të shtypin dhe të heqin nga qarkullimi disa fotografi që dolën pas vizitës së një delegacioni taleban në një fabrikë djathi.
Vizita e zyrtarëve talebanë në Fabrikën e Prodhimit të Djathit në Slutsk, në Bjellorusinë qendrore, u raportua nga një media lokale më 21 gusht, por më pas artikulli u fshi nga faqja e internetit dhe nga kanalet e saj në rrjetet sociale.
Duket se edhe një tjetër publikim rreth vizitës së delegacionit taleban duket se është hequr nga një faqe interneti e lidhur me Akademinë Kombëtare të Shkencave të Bjellorusisë.
Disa fotografi nga raportimi i medias lokale Slutzky Krai u shpërndanë gjerësisht në internet përpara se të fshiheshin dhe më pas u publikuan edhe nga mediat e opozitës.
Komentuesit vunë në dukje pamjen e pazakontë të zyrtarëve të një regjimi të njohur për represionin ndaj grave duke dëgjuar gra bjelloruse teksa prezantonin produkte ushqimore dhe formulë për bebe.
Gratë në Afganistanin e sunduar nga talebanët janë të detyruara të mbulohen plotësisht dhe rregullat e veshjes për gratë janë zbatuar me dhunë nga regjimi islamist gjatë muajve të fundit.
Udhëheqësja e opozitës bjelloruse në mërgim, Svyatlana Tsikhanouskaya, i tha RFE/RL se fotografitë zbuluan gjithashtu “hipokrizinë” e autoriteteve në vendin e saj.
“Nga njëra anë, regjimi i shpall gazetarët bjellorusë, aktivistët dhe grupet e shoqërisë civile ‘ekstremistë’ dhe ‘terroristë’. Nga ana tjetër, ai mirëpret në heshtje përfaqësuesit e talebanëve dhe diskuton biznes me ta,” tha ajo.
Tsikhanouskaya tha se një pjesë e polemikës rreth fotografive buron nga pakënaqësia më e gjerë lidhur me marrëdhëniet diplomatike që po krijon Minsku. Ajo tha se bjellorusët po shohin se kë po zgjedh Lukashenko si miq të Bjellorusisë.
“Ata nuk zgjodhën izolimin. Ata nuk zgjodhën partneritetin me talebanët, Korenë e Veriut apo diktatura të tjera,” tha ajo.
Në kontrast me heshtjen pothuajse të plotë të Minskut, Ministria e Bujqësisë e talebanëve ka publikuar disa herë informacione rreth vizitës së delegacionit në Bjellorusi. Edhe disa media afgane kanë raportuar për udhëtimin.
Faqja afgane e lajmeve Ariana e përshkroi vizitën si një vizitë të një “delegacioni të nivelit të lartë afgan”, të përbërë nga 13 burra, të cilët qëndruan pesë ditë në Bjellorusi për të “eksploruar teknologjitë moderne të prodhimit” dhe mundësinë e krijimit të ndërmarrjeve të ngjashme në Afganistan.
Raportimet afgane përdorën fotografi ku shfaqeshin vetëm burra.
Disa bjellorusë kanë vënë në dukje ngjashmërinë në pamje të delegacionit taleban me muxhahedinët që luftuan kundër pushtimit sovjetik të Afganistanit.
Dhjetëra-mijëra bjellorusë morën pjesë në luftën sovjeto-afgane dhe më shumë se 700 prej tyre u vranë.
“Mendoj se ushtarët sovjetikë që luftuan në Afganistan janë paksa të tronditur,” shkroi një komentues.
Një tjetër pyeti në mënyrë retorike: “A do t’i çojnë te monumenti i ushtarëve internacionalistë të rënë?”
Polemika rreth vizitës së fundit të talebanëve në Bjellorusi vjen pas një stuhie politike në Moldavi, të shkaktuar nga vizita e përfaqësuesve talebanë në atë vend në fillim të gushtit.
Autoritetet në Kabul pretenduan se vizita e anëtarëve të Ministrisë së Bujqësisë së talebanëve ishte bërë me ftesë të Kishinjaut, kryeqytetit të Moldavisë, për të diskutuar “zgjerimin e bashkëpunimit praktik dhe teknik midis dy vendeve”.
Menjëherë pas kësaj, Ministria e Jashtme e Moldavisë publikoi një deklaratë ku theksonte se “nuk do të ketë takime dypalëshe apo kontakte zyrtare me përfaqësuesit e delegacionit”.
Ndërkohë, është nisur një hetim për mënyrën se si tre burrat afganë morën viza për të hyrë në vendin e Europës Lindore.
Rusia është i vetmi shtet që e ka njohur zyrtarisht regjimin taleban si qeverinë legjitime të Afganistanit, pas tërheqjes së forcave ndërkombëtare të udhëhequra nga SHBA-ja nga Afganistani në vitin 2021.
Disa vende të tjera, përfshirë Kinën, Kazakistanin dhe Uzbekistanin, mbajnë marrëdhënie me talebanët pa e njohur zyrtarisht qeverinë e tyre.






















