Natália Silenská – Euractiv
Rezultatet në rënie të Sllovakisë në luftën kundër korrupsionit kanë shkaktuar një përplasje të hapur mes kryeministrit Robert Fico dhe Prokurorit të Përgjithshëm Marosh Zhilinka, dikur i konsideruar si një aleat i besueshëm i koalicionit qeverisës, duke nxjerrë në pah tensionet në rritje lidhur me sundimin e ligjit, pikërisht në kohën kur Bratislava po përballet sërish me shqyrtimin e BE-së.
Në përshkallëzimin më të fundit të mosmarrëveshjes, Zhilinka i kërkoi të hënën Gjykatës Kushtetuese të Sllovakisë të rrëzojë një ligj të qeverisë që shpërndan Zyrën për Mbrojtjen e Sinjalizuesve, duke argumentuar se ai shkel Kushtetutën, veprim që tashmë ka çuar Komisionin Europian të nisë procedura për shkelje.
Në një libër të botuar së fundmi, gazetari investigativ sllovak Marek Vagoviç shkroi se kjo mund të pasqyrojë një përpjekje për të “shpëtuar reputacionin e tij” në fund të mandatit të tij, ose zhgënjimin pas braktisjes së një propozimi për t’i dhënë Prokurorit të Përgjithshëm një pension vjetor të përjetshëm, pas reagimit politik kundër tij.
I zgjedhur Prokuror i Përgjithshëm në vitin 2020 me mbështetjen si të qeverisë së atëhershme antikorrupsion, ashtu edhe të Ficos, kur ky i fundit ishte në opozitë, Zhilinka është kritikuar vazhdimisht për përdorimin e një dispozite të Kodit të Procedurës Penale që i lejon atij të anulojë hetimet në vazhdim për shkak të gabimeve ligjore, përfshirë raste politikisht të ndjeshme që përfshinin figura të larta si vetë Fico.
Mosmarrëveshja u përshkallëzua të mërkurën e kaluar pas një takimi të paparalajmëruar mes Ficos dhe Zhilinkës, i cili tha se kryeministri e kishte nxitur atë të rishqyrtonte vlerësimin e tij për raportin e Komisionit Europian mbi sundimin e ligjit, një kërkesë që ai e refuzoi.
Disa orë më vonë, Zhilinka doli një konferencë për shtyp, duke e përshkruar luftën e Sllovakisë kundër korrupsionit si “katastrofike” dhe duke fajësuar ndryshimet në Kodin Penal dhe vendimet e qeverisë të marra gjatë dy viteve e gjysmë të fundit.
Ai tha se procedimet penale në vitin 2025 ranë me 70% krahasuar me vitin e mëparshëm, ndërsa aktakuzat ranë me 67%.
Krahasuar me vitin 2023, procedimet penale ranë me 56% dhe aktakuzat me 40%.
Zhilinka shtoi se në vitin 2025 nuk ishte zbuluar asnjë rast korrupsioni në nivele të larta, duke hedhur poshtë pretendimet se korrupsioni thjesht ishte ulur.
Koalicioni qeverisës iu përgjigj duke sulmuar besueshmërinë e Zhilinkës, ndërsa figura të larta të tij e tallën për mbështetjen tek statistikat dhe vunë në pikëpyetje performancën e tij.
Disa politikanë të koalicionit hodhën idenë e zgjedhjes së pasardhësit të tij përpara përfundimit të mandatit në dhjetor 2027, një veprim që normalisht do t’i takonte parlamentit të ardhshëm, pas zgjedhjeve të parashikuara për vjeshtën e vitit 2027.
Fico më vonë e përjashtoi mundësinë e një zëvendësimi të parakohshëm, por tha se Zhilinka e kishte “humbur plotësisht” besimin e tij.
Që prej rikthimit të Ficos në pushtet në vitin 2023, Sllovakia ka rënë me 14 vende në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit të Transparency International, një rënie që organizata e lidh me politikën më të dobët penale, uljen e dënimeve, shfuqizimin e Zyrës së Prokurorisë Speciale dhe dështimet e vazhdueshme për të ndjekur penalisht korrupsionin.






















