Alejandra Jaramillo
Presidenti Donald Tramp përshkallëzoi të martën përplasjen e tij me udhëheqësit kanadezë, duke sugjeruar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës po shqyrtojnë mundësinë e riemërtimit të Liqenit Ontario në “Liqeni i Amerikës”, ndërsa tensionet mes dy vendeve po rriten në kuadër të një lufte tregtare që vazhdon.
“Shtetet e Bashkuara po e shqyrtojnë seriozisht ndryshimin e emrit të Liqenit Ontario në Liqeni i Amerikës, pasi nuk presim të bëjmë më shumë biznes me Ontarion. Faleminderit për vëmendjen ndaj kësaj çështjeje!”, shkroi Tramp në një postim në Truth Social.
Në një postim të mëvonshëm, presidenti publikoi imazhin e një harte ku emri “Liqeni Ontario” ishte fshirë dhe zëvendësuar me fjalët “Liqeni Amerika”, të shkruara me germa të arta dhe të shoqëruara me një flamur amerikan.
Ministri kanadez për Tregtinë Kanada-SHBA, Dominik LeBlank, nuk pranoi të komentonte postimin e parë të Trumpit.
Ai i tha CNBC-së: “Ne, si qeveri federale, vendosëm muaj më parë të mos reagojmë ndaj postimeve të përditshme në rrjetet sociale të presidentit apo sekretarëve të tij të kabinetit. Ne jemi të përqendruar në atë që mund të bëjmë në Kanada për të ndërtuar ekonominë tonë dhe për të pasur një marrëdhënie konstruktive me qeverinë e Shteteve të Bashkuara—partnerin tonë më të rëndësishëm tregtar,” shtoi LeBlank.
Liqeni Ontario është më i vogli nga pesë Liqenet e Mëdha për sa i përket sipërfaqes dhe ndodhet midis shtetit amerikan të Nju Jorkut dhe provincës kanadeze Ontario.
Komenti i Trampit për “Liqenin e Amerikës” erdhi një ditë pasi ai paralajmëroi Kanadanë për pasoja “SHUMË më të këqija” nëse udhëheqësit e saj nuk “reshtohen”, pas dështimit të negociatave tregtare midis dy vendeve.
Kjo nuk është hera e parë që presidenti amerikan përpiqet të riemërtojë një masë ujore duke i shtuar fjalën “Amerikë”.
Më parë, ai kishte nënshkruar një urdhër për ndryshimin e emrit të Gjirit të Meksikës.
Tramp i përshkallëzoi më tej sulmet verbale të martën në mëngjes, duke e quajtur Kanadanë “arrogante” dhe “të paarsyeshme” në një tjetër postim në Truth Social.
“Merrem me shumë vende dhe Kanadaja është lehtësisht më e vështira dhe më e paarsyeshmja,” shkroi ai. “Ata mendojnë se u takon gjithçka, por nuk janë një shtet dhe nuk do t’u takojë më!”
Ai tha se Kanadaja kishte “zhvatur” SHBA-në për dekada dhe pretendoi se praktikat tregtare kanadeze kishin “nxjerrë nga biznesi shumë kompani të mrekullueshme amerikane”.
Tramp përmendi si shembull pengesat tregtare ndaj avionëve Gulfstream, megjithëse kompania Gulfstream nuk ka dalë nga biznesi.
Tramp ka kritikuar vazhdimisht kryeministrin kanadez Mark Karni dhe kryeministrin e Ontarios Dag Ford, duke e akuzuar Kanadanë se ka përfituar në mënyrë të padrejtë nga SHBA-ja për dekada.
“Shumë ‘zhurmë’ nga Dag Ford, i cili është kryeministri i provincës kanadeze të Ontarios, por që njihet më shumë si vëllai më pak karizmatik, inteligjent dhe në përgjithësi më pak mbresëlënës i të ndjerit, të madhit Rob Ford,” shkroi Tramp të hënën.
“Dikush duhet t’i bëjë këta kllounë të ‘rreshtohen’, ose pasojat për Kanadanë do të jenë SHUMË më të këqija!” shtoi Tramp.
Mosmarrëveshja vjen ndërsa Tramp kërcënoi të hënën se do të rrisë tarifat ndaj automjeteve, kamionëve, pjesëve të automjeteve dhe çelikut kanadez në 50%, duke filluar nga 1 janari 2027.
Kanadaja është zotuar të përgjigjet me tarifa “një për një”, duke filluar më 8 shtator.
Tramp ka tentuar edhe më parë të riemërtojë një tjetër masë ujore që kufizohet me Shtetet e Bashkuara.
Në ditën e parë të mandatit të tij të dytë, Trampi nënshkroi një urdhër ekzekutiv që kërkonte që Gjiri i Meksikës të riemërtohej “Gjiri i Amerikës”.
Më pas ky emër u përdor nga agjencitë qeveritare amerikane dhe Roja Bregdetare e SHBA-së, ndërsa vendet e tjera nuk e kanë njohur ndryshimin.
Edhe këtë çështje Shtëpia e Bardhë e shndërroi në një konflikt me Associated Press (AP), pasi agjencia e lajmeve vazhdoi ta quante masën ujore “Gjiri i Meksikës”.
Një gjykatës federal përfundimisht vendosi kundër Shtëpisë së Bardhë, duke deklaruar se vendimi për të ndëshkuar AP-në duke i kufizuar aksesin në aktivitetet e Trampit ishte “jokushtetues”.
Në maj 2025, Dhoma e Përfaqësuesve miratoi një projektligj të udhëhequr nga republikanët për riemërtimin e Gjirit të Meksikës si Gjiri i Amerikës.






















