Administrata e presidentit amerikan Donald Trump ka vendosur një pezullim të përkohshëm të takimeve për viza në ambasadat dhe konsullatat amerikane në mbarë botën, në kuadër të ndryshimeve të reja në politikën e emigracionit.
Departamenti amerikan i Shtetit konfirmoi se ka nisur një program global trajnimi për zyrtarët konsullorë dhe se oraret e shërbimeve të vizave do të ndryshohen për t’i përshtatur këtij procesi. Sipas raportimeve, disa aplikantë që kishin tashmë intervista të planifikuara kanë marrë njoftime për anulimin ose shtyrjen e tyre dhe do të informohen për një datë të re.
Trajnimi synon, mes të tjerash, një kontroll më të hollësishëm të aplikantëve dhe vlerësimin nëse ata mund të varen në të ardhmen nga përfitimet publike amerikane. Departamenti i Shtetit nuk ka bërë të ditur se sa do të zgjasë ndërprerja.
Vendimi ka rëndësi të drejtpërdrejtë edhe për qytetarët shqiptarë që aplikojnë për vizë amerikane, pasi masa është globale dhe përfshin shërbimet konsullore amerikane në vende të ndryshme.






















