
Është publikuar këtë të enjte fotoja e 44-vjeçares shqiptare Esma Meço, e cila u vra me thikë një ditë më parë nga bashkëshorti i saj në Greqi. Viktima, me origjinë nga Gramshi, dyshohet se prej vitesh përjetonte dhunë në familje dhe kishte vendosur t'i jepte fund martesës.
Sipas mediave greke, Esma Meço kishte caktuar pikërisht për ditën e sotme një takim me avokaten e saj për të diskutuar procedurat e divorcit, takim që nuk arriti ta zhvillonte.
44-vjeçarja u godit me thikë në zonën e qafës nga bashkëshorti i saj, 53-vjeçari Bujar Meço. Të dhënat nga ekzaminimi mjeko-ligjor tregojnë se goditja ishte fatale dhe i shkaktoi viktimës hemorragji të rëndë.
“Plaga me thikë në pjesën e qafës ishte e thellë, me tehun që arrinte dhe depërtonte në mushkërinë e djathtë, duke i shkaktuar gjakderdhje”, raportojnë mediat greke duke iu referuar ekspertizës.
Avokatja Evangelia Kola, e cila përfaqësonte 44-vjeçaren, deklaroi se Esma kishte marrë vendimin për t'u divorcuar dhe se çifti kohët e fundit nuk jetonte më së bashku.
Sipas saj, vrasja nuk ishte paraprirë nga vetëm një episod dhune. Ajo tha se 44-vjeçarja ishte sulmuar disa herë gjatë martesës.
“Viktima ishte sulmuar shumë herë nga bashkëshorti i saj. Nuk ishte vetëm incidenti i vitit 2022”, deklaroi avokatja, duke folur për një histori dhune që kishte vazhduar ndër vite.
Hetuesit po shqyrtojnë xhelozinë si një nga motivet e mundshme të krimit, ndërsa nuk përjashtohet që vendimi i Esmës për t'u divorcuar të ketë qenë shkaku që përshkallëzoi situatën.
Mediat greke raportojnë gjithashtu se 53-vjeçari merrte medikamente dhe në të kaluarën ishte shtruar në një klinikë psikiatrike, por ishte vlerësuar se nuk kishte nevojë për hospitalizim të mëtejshëm.
Hetimet vijojnë për të përcaktuar plotësisht rrethanat dhe motivin e vrasjes.






















