
Nuk mjaftojnë milionat e eurove që po shpenzohen për dy TEC-et lundruese në Vlorë, të cilat prej mbërritjes së tyre në Shqipëri kanë prodhuar shumë pak energji. Tashmë, “Tigri 1” dhe “Tigri 3” duket se janë kthyer edhe në një burim kontratash milionëshe, ku konkurrenca mungon dhe fituesi mbetet i vetëm në garë.
Korporata Elektroenergjetike Shqiptare ka shpallur fituesin e tenderit për “shërbimin e depozitimit, ngarkimit dhe shkarkimit të lëndës djegëse” për TEC-et lundruese në Vlorë.

Por mënyra se si është zhvilluar procedura ngre pikëpyetje.
KESH ka zgjedhur negocimin pa njoftim, duke shmangur një procedurë të hapur konkurruese. Në procedurën me fond limit 493 milionë lekë, ose rreth 5.29 milionë euro, është paraqitur vetëm një ofertë.
Kompania “LA PETROLIFERA ITALO ALBANESE” ka qenë operatori i vetëm pjesëmarrës dhe institucioni i drejtuar nga Vjola Haxhiademi e ka shpallur fituese pa pasur përballë asnjë konkurrent tjetër.

Por mungesa e garës nuk është i vetmi element që bie në sy. Oferta e kompanisë fituese arrin në plot 99.94% të fondit limit. Pra, nga tavani financiar që KESH kishte vendosur për kontratën, diferenca me ofertën fituese është minimale.

Negocimi pa njoftim nuk është një procedurë e zakonshme prokurimi. Ligji e parashikon atë për situata të veçanta, kur zhvillimi i një gare normale nuk është i mundur ose kur plotësohen kushte specifike.
Një procedurë e tillë mund të përdoret, ndër të tjera, kur një tender i mëparshëm ka dështuar për mungesë ofertash të përshtatshme, kur për arsye teknike kontrata mund të realizohet vetëm nga një operator i caktuar apo kur ekziston një urgjencë ekstreme e shkaktuar nga rrethana të paparashikueshme.
Nëse këto kushte merren me radhë, pikëpyetjet shtohen. Tenderi në fjalë nuk rezulton të jetë paraprirë nga një procedurë e anuluar për mungesë ofertash. Ndërkohë, objekti i kontratës është depozitimi, ngarkimi dhe shkarkimi i karburantit që do të përdoret për furnizimin e dy impianteve.
KESH duhet të sqarojë nëse ky shërbim, për arsye teknike, mund të kryhet vetëm nga kompania që fitoi kontratën dhe përse operatorë të tjerë nuk mund të konkurronin për 5.3 milionë eurot.
Edhe argumenti i një urgence të paparashikuar ngre pikëpyetje. Dy TEC-et ndodhen në Vlorë prej vitit 2022 dhe nevoja për furnizimin e tyre me lëndë djegëse nuk është një rrethanë që ka lindur papritur.
Atëherë, çfarë e detyroi KESH-in të përdorte negocimin pa njoftim?
Përse një kontratë prej mbi 5 milionë eurosh u zhvillua brenda rreth 20 ditësh?
Dhe përse, në fund të saj, pati vetëm një kompani në garë, me një ofertë sa 99.94% e fondit limit?
Janë pikërisht këto rrethana që shtojnë dritëhijet mbi një projekt që prej vitesh ka hapur debat për kostot e tij dhe për energjinë që realisht i ka dhënë vendit. Mungesa e konkurrencës dhe oferta thuajse identike me fondin limit nuk provojnë në vetvete një fitues të paracaktuar, por janë elemente që kërkojnë transparencë dhe shpjegim nga institucioni që administron paratë publike.
Tenderi i fundit është vetëm një tjetër faturë që i shtohet historisë së kushtueshme të dy TEC-eve lundruese. “Tigri 1” dhe “Tigri 3” mbërritën në Shqipëri në vitin 2022 si një zgjidhje për prodhimin e energjisë elektrike në një periudhë krize. Dy platformat kanë një kapacitet të instaluar prej 110 MW. Por bilanci mes kapacitetit, prodhimit dhe parave të shpenzuara është krejt tjetër.
Që nga vendosja e tyre në Vlorë e deri më sot, dy TEC-et kanë prodhuar vetëm rreth 102 mijë MWh, ose 102 GWh energji elektrike. Një prodhim modest përballë kapacitetit të instaluar dhe faturës që qytetarët shqiptarë kanë paguar për to.
KESH paguan 60 mijë dollarë çdo ditë për marrjen me qira të impianteve nga kompania amerikane “Excelerate Energy”. Kësaj shume i shtohen edhe 30 mijë dollarë të tjerë në ditë për kompaninë italiane “Renco”, për shërbimet e gjenerimit. Pra, 90 mijë dollarë në ditë.
Deri në fund të vitit të kaluar, shpenzimet për sjelljen dhe vënien në funksion të dy TEC-eve kishin arritur në 62.8 milionë euro, ndërsa kostoja e energjisë së prodhuar rezultonte rreth 151 euro për megavat-orë.
Në vendin tonë është aluduar gjerësisht se sjellja e këtyre centraleve lundruese nuk kishte të bënte me një nevojë emergjente apo strategjike energjetike, por ishte pjesë e një kompromisi politik mes zëvendëskryeministres dhe ministres së Energjisë, Belinda Balluku, dhe ish-ambasadores së SHBA-së në Tiranë, Yuri Kim.
Dhe ndërsa kontributi i “Tigrit 1” dhe “Tigrit 3” në prodhimin vendas të energjisë ka mbetur i kufizuar, fatura vazhdon të fryhet. Tashmë listës së milionave i shtohen edhe 5.3 milionë euro të tjera për depozitimin, ngarkimin dhe shkarkimin e karburantit.
Por këtë herë nuk është vetëm shuma ajo që ngre pikëpyetje. Është mënyra se si po jepet një tender milionësh, një procedurë me negocim pa njoftim, vetëm një kompani pjesëmarrëse dhe një ofertë që prek 99.94% të fondit limit.
TEC-et që deri tani kanë prodhuar pak energji, vijojnë të prodhojnë shumë kosto. Dhe sa më shumë rritet fatura, aq më e fortë bëhet pyetja se kush po përfiton realisht nga ky investim.






















