
“Wall Street Journal” shkruan se udhëtimi i papritur i drejtorit të CIA-s, John Ratcliffe, në Moskë kishte si qëllim t’i përcillte Rusisë një paralajmërim të drejtpërdrejtë që të mos ndërmarrë sulme ndaj vendeve anëtare të NATO-s.
Duke cituar burime me dijeni mbi vizitën, gazeta amerikane raporton se paralajmërimi vjen pas vlerësimeve të reja të inteligjencës amerikane, sipas të cilave presidenti rus Vladimir Putin mund të tentojë të testojë vendosmërinë e NATO-s përmes një sulmi të kufizuar ndaj një vendi anëtar të Aleancës në vitet e ardhshme.
Gjatë qëndrimit në kryeqytetin rus, Ratcliffe zhvilloi bisedime me zyrtarë të inteligjencës ruse, por nuk pati një takim me presidentin Vladimir Putin.
Kremlini konfirmoi kontaktet mes shërbimeve të sigurisë. Zëdhënësi Dmitry Peskov deklaroi se Putin ishte informuar për rezultatet e vizitës, pa dhënë detaje të tjera mbi çështjet e diskutuara.
“Ka pasur kontakte nëpërmjet shërbimeve të sigurisë. Mund t’ju them se nuk ka pasur takime me presidentin rus. Natyrisht, Presidenti Putin mbahet i informuar për gjithçka pa vonesë”, deklaroi Peskov.
Edhe presidenti amerikan Donald Trump konfirmoi udhëtimin e kreut të CIA-s, por nuk dha një shpjegim të qartë për misionin e tij. Ai e përshkroi vizitën si “gjysmë rutinë”, duke lënë të kuptohet se nga bisedimet mund të ketë zhvillime të mëtejshme.
“Diçka mund të dalë nga kjo. Po punojmë shumë për ta përfunduar atë luftë”, tha Trump, duke iu referuar luftës në Ukrainë.
Vizita e Ratcliffe ishte udhëtimi i tij i parë i njohur publikisht në Moskë që prej marrjes së drejtimit të CIA-s.






















