Produktet prej letre janë ndër sektorët më të goditur nga lufta tregtare mes SHBA-së dhe Kanadasë, tashmë që pas dështimit të negociatave tregtare vlerësohet vendosje e tarifave prej 25-50%.
Vajtja në tualet ose të qarit pritet të shtrenjtohen për amerikanët e veriut, tashmë që SHBA-ja dhe Kanadaja kanë hyrë në luftë tregtare të mirëfilltë, e cila kërcënon të përmbysë dekada të tëra tregtie paqësore mes dy vendeve.
Pas dështimit të negociatave tregtare mes dy vendeve fundjavën e kaluar, kryeministri kanadez Mark Karnei u zotua të përgjigjet ndaj tarifave amerikane “një për një” dhe publikoi një listë me afro 900 produkte amerikane që duke filluar nga 8 shtatori do t’u nënshtrohen tarifave prej 25% deri në 50%.
Produktet prej letre janë ndër sektorët më të goditur. Kanadaja kërcënon të vendosë tarifa nga 25% deri në 50% për “materialin bazë për prodhimin e letrës higjienike ose facoletave”, si kundërpërgjigje ndaj një rritjeje prej 50% të tarifave nga Uashingtoni.
Sipas Bankës Botërore, SHBA-ja importoi nga Kanadaja letër higjienike me vlerë 328 milionë dollarë në vitin 2024, duke e bërë Kanadanë, eksportuesin më të madh të këtij produkti drejt SHBA-së.
SHBA-ja zë më shumë se 20% të konsumit global të produkteve të letrës së hollë, pavarësisht se ka vetëm rreth 4% të popullsisë së botës. Amerikani mesatar përdor 141 rrotulla letre higjienike në vit, duke i renditur amerikanët të parët në botë për përdorimin e këtij produkti, pak përpara gjermanëve, të cilët përdorin mesatarisht 134 rrotulla në vit.
Por tarifat amerikane po prekin veçanërisht pijet alkoolike kanadeze, përfshirë markat e njohura të uiskit Crown Royal dhe Canadian Club, të cilat aktualisht përballen me një tarifë prej 50%. Ndërkohë, Kanadaja nuk ka vendosur tarifë ndaj pijeve alkoolike amerikane, por shumica e provincave kanadeze kanë vendosur ndalime të tyre për alkoolin amerikan, në shenjë hakmarrjeje ndaj tarifave të mëparshme amerikane mbi produktet kanadeze. Donald Trump i përdori këto ndalime të provincave ndaj alkoolit amerikan si pjesë të justifikimit të tij ligjor për tarifat e reja kundër Kanadasë.
Trump tha gjithashtu se tarifat e reja janë kundërpërgjigje ndaj taksave të vendosura nga Kanadaja mbi industrinë amerikane të produkteve të qumështit. Ai vendosi një tarifë prej 50% mbi pothuajse të gjitha produktet kanadeze të qumështit, me përjashtim të djathit kanadez. Në përgjigje, Kanadaja ka vendosur një tarifë prej 50% mbi produktet amerikane të qumështit, si dhe një tarifë prej 25% mbi djathin amerikan.
Kanadaja goditi gjithashtu industrinë amerikane të peshkimit, duke vendosur një tarifë prej 25% mbi peshkun dhe prodhimet e detit amerikane, përfshirë karavidhet e ngrirë. Ky veprim bëri që senatorja republikane Susan Collins, e cila përballet me një garë të vështirë për rizgjedhje në Maine, një shtet i njohur për industrinë e karavidheve, ta cilësonte vendimin e fundit të Trumpit si “një gabim”.
Një tarifë prej 25% mbi automjetet dhe pjesët e automjeteve kanadeze pritet të prekë industrinë amerikane të automobilave, e cila mbështetet shumë te pjesët e prodhuara në Kanada për procesin e prodhimit. Trump ka kërcënuar se do ta dyfishojë tarifën në 50% nëse nuk arrihet një marrëveshje deri më 1 janar 2027.
Me negociatat të dështuara, mbetet e paqartë nëse dhe kur tarifat do të hiqen. Megjithatë, administrata Trump këmbëngul se “nuk ka asnjë mundësi” që mosmarrëveshja tregtare me Kanadanë të ndikojë te konsumatorët amerikanë, sipas Jamieson Greer, përfaqësuesit tregtar të SHBA-së.






















