
Nga Benedetta Perilli
Clara Usón i ka kushtuar një libër Anës, vajzës së gjeneralit, e cila vrau veten pasi zbuloi krimet e kryera nga i ati.
Clara Usón e kaloi gjithë ditën e djeshme duke marrë mesazhe. Shumë njerëz ndien nevojën t’i shkruanin autores spanjolle pas vdekjes së Ratko Mladiçit, “sikur ai të ishte pjesë e familjes”, tregon ajo.
Në vitin 2013, pas tre vitesh kërkimesh, Usón i kushtoi librin La figlia (Vajza), botuar nga Sellerio, Anës, vajzës së dytë të “kasapit të Bosnjës”, e cila vrau veten në vitin 1994, në moshën 23-vjeçare, pasi kishte zbuluar krimet e të atit.
“Ajo qëlloi veten me pistoletën e preferuar të të atit, atë me të cilën Mladiç thoshte se do të festonte lindjen e nipërve. Besoj se vdekja e saj e çoi atë drejt masakrës së Srebrenicës: dimë se operacionin kundër bazave të OKB-së, një muaj pas vdekjes së Anës, e quajti ‘Stella’ (‘Ylli’), ndërsa ai vetë Anën e quante ‘yll’.”
Çfarë ndjesie ju shkakton vdekja e Mladiçit?
“Nuk e mohoj, më bëri të ndihem mirë, sepse ishte një njeri vërtet i keq. Vdiq në burg. Unë nuk besoj te dënimi me vdekje dhe është e drejtë që përfundoi kështu.”
A mbyll vdekja e tij një kapitull të historisë së Ballkanit?
“Jo. Shumë njerëz vazhdojnë ta konsiderojnë hero. Presidenti Vuçiç dhe të paktën gjysma e serbëve besojnë se ai është gjykuar padrejtësisht. Ajo që ndodhi atëherë ishte një paralajmërim: siç ndodh shpesh në histori, kur Ballkani dridhet, Europa duhet të shqetësohet.
Pastrimi etnik i kryer nga Millosheviçi dhe Mladiçi, retorika se myslimanët do të na pushtojnë, pikërisht gjithçka që thotë sot e djathta ekstreme, ata e thoshin që në vitet ’90. Ishin pararendës.”
Kush ishte Mladiçi?
“Një përbindësh, një dogmatik, një njeri plot kontradikta. Pikërisht prej këtej lindi interesi im. Manikeizmi nuk më ka bindur kurrë, është një mashtrim. Njerëzit e aftë për mizoritë më të mëdha mund të mos jenë vetëm ligësi e pastër.
Ai u dënua me të drejtë për gjenocid: brenda tij jetonte dogma e atdheut, e supremacisë etnike. Por për Mladiçin thuhet gjithashtu se ishte një komandant i mirë, një bashkëshort i mirë, një baba i mirë.”
Çfarë ndodhi pas vdekjes së Anës?
“Ai dhe vajza e tij e donin shumë njëri-tjetrin. Vetëvrasja e Anës e përndoqi Mladiçin gjatë gjithë jetës. Në më shumë se 15 vitet që kaloi në arrati, përpara ekstradimit, ai e vizitonte varrin e saj në Beograd, i mbrojtur mirë nga serbët.
Arriti deri aty sa të besonte se ajo ishte vrarë nga policia. Fliste me njerëz që pretendonin se parashikonin të ardhmen, bënte gjithçka vetëm që të mos pranonte se ajo kishte vrarë veten për shkak të tij dhe krimeve të tij.
Një nga dëshirat e tij është që të varroset në varrezat e Topčiderit, në Beograd, pranë Anës. Nga mijëra njerëzit që vrau, ai vajtoi vetëm një: vajzën e tij.”
Çfarë ju ka mbetur nga kjo histori?
“Shumë frustrim. Mbi të gjitha për faktin se dogma e neveritshme e nacionalizmit, e mishëruar nga Mladiçi, sot është bërë pjesë e rrymës kryesore dhe rrezikon të bëhet e ardhmja e Europës, ashtu siç është tashmë e tashmja e Izraelit.
Historia nuk na mëson asgjë. I vetmi mësim që duket se na jep është se ne nuk mësojmë kurrë asgjë nga historia.”






















