
Vdekja e Ratko Mladiçit nuk po mbyll plagët e luftërave të Ballkanit. Përkundrazi, vendimi i Serbisë për ta përcjellë me nderime të larta shtetërore dhe ushtarake ish-komandantin serbo-boshnjak ka rikthyer menjëherë polemikat mbi glorifikimin e kriminelëve të dënuar të luftës.
Mladiç vdiq të enjten në moshën 84-vjeçare në Hagë, ku po vuante dënimin me burgim të përjetshëm për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte. Dënimi i tij përfundimtar përfshinte përgjegjësinë për gjenocidin e Srebrenicës, ku në korrik 1995 u vranë më shumë se 8 mijë burra dhe djem boshnjakë, si edhe krimet gjatë rrethimit të Sarajevës.
Ministri serb i Drejtësisë, Nenad Vujić, deklaroi se Mladiç do të marrë “të gjitha nderimet ushtarake dhe shtetërore që i takojnë”. Qeveria serbe është gjithashtu e gatshme të dërgojë një delegacion në Holandë për të marrë trupin, ndërsa familja do të vendosë vendin e varrimit.
Vendimi ka një peshë të veçantë pikërisht për shkak të asaj që Mladiç përfaqëson. Gjykata ndërkombëtare e dënoi me burgim të përjetshëm në vitin 2017, vendim i konfirmuar në apel në vitin 2021. Ai u arrestua në Serbi në vitin 2011, pas 16 vitesh në arrati.
Ndërkohë, glorifikimi i tij ka nisur. Në Republika Srpska janë zhvilluar homazhe, ndërsa tifozët e Crvena Zvezdës në Beograd shpalosën gjatë një ndeshjeje të Europa League një banderolë me mesazhin: “Gjeneral, lavdi e përjetshme dhe faleminderit”. Memoriali i Srebrenicës ka kërkuar ndërhyrjen e UEFA-s.
Në Srebrenicë reagimi është krejt tjetër. Drejtori i Memorialit, Emir Suljagić, ka kujtuar se vdekja e Mladiçit nuk ndryshon vendimet e gjykatave dhe nuk i zhduk varret masive.
Kështu, 31 vjet pas masakrës, Serbia po përgatitet t’i japë nderime shtetërore një njeriu të dënuar për gjenocid. Mladiç vdiq në burg si kriminel lufte i dënuar përjetë; në Beograd po përgatitet të varroset si gjeneral me nderime.






















