Nga një konkurs televiziv te skena më e madhe e futbollit europian. Historia e trajnerit lituanez Valdas Dambrauskas është një nga më të pazakontat në futboll.
Në vitin 2002, Dambrauskas mori pjesë në versionin lituanez të spektaklit “Who Wants to Be a Millionaire?” dhe fitoi 4 mijë litas lituanezë, një shumë që sot përllogaritet në rreth 2,500 paund. Në vend që t’i shpenzonte, ai vendosi t’i përdorte paratë për të ndjekur ëndrrën e tij: të bëhej trajner futbolli, edhe pse nuk kishte luajtur kurrë si profesionist.
Me të dashurën u transferua në Angli, ku pjesën më të madhe të fitimit e shpenzoi për udhëtimin dhe strehimin. Vetë Dambrauskas ka treguar se pas mbërritjes u kishin mbetur para vetëm për një muaj.
Ai nisi të punonte në sektorin e shitjeve për të siguruar jetesën, ndërsa paralelisht mësonte anglishten, ndiqte kurset e trajnerit dhe studionte për shkenca sportive dhe trajnim në London Metropolitan University. Hapat e parë në stol i hodhi shumë larg futbollit elitar, duke drejtuar Kingsbury London Tigers, një skuadër e kategorisë së nëntë angleze.
Vitet që pasuan e çuan gjithnjë e më lart. Dambrauskas punoi edhe në strukturat e Fulham dhe Brentford, ndërsa pas diplomimit në vitin 2009 mori drejtimin e kombëtares U-17 të Lituanisë.
Më pas drejtoi skuadra si Ekranas dhe Zalgiris në Lituani, Ludogorets në Bullgari dhe Hajduk Split në Kroaci, si dhe punoi në Greqi, Qipro dhe Hungari.
Tashmë, në moshën 49-vjeçare, historia e nisur me 4 mijë litas të fituara në një spektakël televiziv ka arritur deri në Champions League.
Skuadra e tij aktuale, Sabah FC, kampione në fuqi e Azerbajxhanit, siguroi kualifikimin në fazën e ligës pas një përmbysjeje dramatike në play-off. Pasi kishte humbur 1-0 ndeshjen e parë ndaj Hapoel, Sabah triumfoi 5-2 pas kohës shtesë në kthim, duke fituar 6-4 në rezultatin e përgjithshëm.
Më shumë se dy dekada pasi rrezikoi pothuajse gjithçka për t’u bërë trajner, Dambrauskas tani do të ketë mundësinë të masë skuadrën e tij me disa prej klubeve më të mëdha të Europës.
Një fitore në “Kush do të bëhet milioner?” nuk e bëri milioner, por i dha paratë që i duheshin për të nisur rrugën drejt ëndrrës së tij.






















