
Pesë vatra zjarri vijojnë të jenë aktive në vend, nga 34 të raportuara gjatë 24 orëve të fundit. Situata më problematike paraqitet në Tiranë dhe Dibër.
Në malin e Dajtit janë riaktivizuar tre vatra, ku zjarrfikësit dhe efektivët e Forcave të Armatosura po punojnë për vënien e flakëve nën kontroll.
Në Dibër vijojnë zjarret në Qafë të Helmës, Vajkal, Sllatinë dhe Komsi, por sipas Ministrisë së Mbrojtjes, aktualisht nuk rrezikohen zonat e banuara.
Ndërkohë, vatrat në malin e Dardhës dhe malin e Qukësit, në Elbasan, janë nën mbikëqyrje dhe nuk paraqesin rrezik për banesat. Zjarret e një dite më parë në Vranisht të Vlorës dhe Xhyrë të Librazhdit janë shuar pas ndërhyrjes nga ajri.






















