
Dhjetëra banorë të Spitallës protestuan këtë të shtunë kundër Bashkisë së Durrësit, duke kërkuar përfundimin e punimeve për kolektorin e ujërave të shiut, ndërsa shprehen të shqetësuar për rrezikun e përmbytjeve me afrimin e vjeshtës.
Sipas banorëve, punimet nisën rreth një vit e gjysmë më parë, por u ndërprenë në momentin kur tubacioni duhej të vijonte përgjatë kanalit të rrugës. Ata thonë se, pavarësisht premtimeve të Bashkisë për vijimin e projektit, deri tani nuk është ndërhyrë.
Problematika prek rreth 400 familje të Lagjes nr. 15, të cilat ngrenë gjithashtu shqetësimin për mungesën e ambienteve sportive dhe argëtuese për fëmijët, si dhe për dëmtimin e rrugës së asfaltuar brenda një kohe të shkurtër.
Deri në publikimin e lajmit, Bashkia e Durrësit nuk kishte reaguar lidhur me shqetësimet e ngritura nga banorët.






















