Një zhvillim i rëndësishëm gjeopolitik po ndodh sot në Stamboll. Turqia, Arabia Saudite dhe Pakistani zhvillojnë takimin e parë të nivelit të lartë në kuadër të marrëveshjes së tyre të re të mbrojtjes.
Në tryezë pritet të jenë ministrat e Jashtëm, ministrat e Mbrojtjes dhe drejtuesit ushtarakë të tre vendeve.
Marrëveshja parashikon që një sulm i armatosur ndaj njërit prej vendeve të konsiderohet kërcënim ndaj të gjithëve, një formulë që në disa aspekte kujton parimin e mbrojtjes kolektive të NATO-s.
Takimi zhvillohet në një moment veçanërisht të tensionuar në Lindjen e Mesme për shkak të konfliktit me Iranin dhe kërcënimeve ndaj rrugëve të transportit të naftës.
Turqia është njëkohësisht anëtare e NATO-s, ndërsa Ankaraja ka lënë të hapur mundësinë që bashkëpunimi i ri të zgjerohet në të ardhmen edhe drejt vendeve të tjera.






















