Momente ankthi janë regjistruar në një fluturim të Olympic Air nga Rodosi drejt Karpathosit, pasi avioni u detyrua të kthehej në aeroportin “Diagoras” vetëm pak minuta pas ngritjes.
Sipas njoftimit të AEGEAN, fluturimi OA94, i kryer nga Olympic Air me një avion të tipit ATR42, kishte në bord 33 pasagjerë dhe 3 anëtarë ekuipazhi. Pak pas nisjes, avioni shfaqi një sinjalizim për një problem të mundshëm në sistemin e vajit të njërit prej motorëve.
Kapiteni vendosi menjëherë të ndiqte procedurat e sigurisë dhe të kthehej në aeroportin e Rodosit për kontroll teknik. Avioni u ul pa probleme dhe pasagjerët zbritën të sigurt, pa pasur raportime për të lënduar.
Mediat greke raportojnë se gjatë fluturimit është parë tym që dilte nga motori, ndërsa në disa pamje të publikuara shihet një gjurmë e dukshme tymi pas avionit. Disa raportime lokale flasin edhe për flakë të momentit, por deri tani kompania nuk ka konfirmuar zjarr në motor; shpjegimi zyrtar mbetet ai i një defekti të mundshëm në sistemin e vajit.
Në aeroportin “Diagoras” u aktivizuan shërbimet e sigurisë, përfshirë zjarrfikësen dhe strukturat e aeroportit, për të pritur avionin në ulje. AEGEAN njoftoi se ka dërguar një tjetër avion nga Athina, në mënyrë që pasagjerët të vijonin udhëtimin drejt destinacionit të tyre sa më shpejt.






















