Përplasja mes Donald Trump dhe Kanadasë është zhvendosur edhe te emri i një prej liqeneve më të mëdha të Amerikës së Veriut. Kryeministri i Ontarios, Doug Ford, i është kundërpërgjigjur presidentit amerikan duke vendosur një tabelë gjigante në bregun kanadez me mesazhin: “Liqeni Ontario. Tani dhe Gjithmonë”.
Reagimi i Ford vjen pasi Donald Trump nënshkroi një urdhër ekzekutiv për ndryshimin e emrit të liqenit, i cili shtrihet mes Shteteve të Bashkuara dhe Kanadasë, duke propozuar që ai të quhet “Liqeni Amerika”. Presidenti amerikan ka publikuar gjithashtu në rrjetet sociale disa video të krijuara me inteligjencë artificiale, duke promovuar emërtimin e ri.
“Shumë kohë para presidentit Trump, ky liqen quhej Liqeni Ontario. Shumë kohë pasi presidenti Trump të jetë larguar, ai do të quhet ende Liqeni Ontario”, deklaroi Ford.
Përplasja e re vjen në një moment kur marrëdhëniet mes Uashingtonit dhe Otavës janë tensionuar ndjeshëm për shkak të politikës tregtare. Bisedimet mes dy vendeve kanë dështuar, ndërsa SHBA-ja ka vendosur tarifa të reja prej 50% ndaj rreth 20 miliardë dollarëve mallra kanadeze. Kanadaja ka paralajmëruar kundër-tarifa “dollar për dollar” që pritet të hyjnë në fuqi muajin e ardhshëm.
Trump deklaroi se urdhri për ndryshimin e emrit hyri në fuqi menjëherë pas nënshkrimit. Megjithatë, vendimi i presidentit amerikan nuk i detyron autoritetet kanadeze që ta përdorin emërtimin e ri. Ndërsa presidenti i SHBA-së ka kompetenca të gjera për mënyrën se si qeveria federale amerikane i referohet monumenteve dhe vendeve gjeografike, vendet e tjera nuk janë të detyruara t'i njohin këto ndryshime.
Autoritetet kanadeze e kanë kundërshtuar hapur iniciativën e Trump, ndërsa Doug Ford e ka kthyer çështjen në një përplasje publike mes dy vendeve.
Të shtunën, Trump publikoi edhe disa video të krijuara me inteligjencë artificiale. Në njërën prej tyre, presidenti amerikan shfaqet duke shkelmuar një tabelë ku shkruhet “Liqeni Ontario” dhe duke e zëvendësuar me një tjetër ku thuhet: “Mirë se vini në Liqenin Amerika”.
Një video tjetër, në një ton më satirik, paraqet një tufë patash kanadeze të armatosura, të pajisura me flokët karakteristikë të presidentit amerikan dhe duke patrulluar bregun e liqenit.
Doug Ford e ka lidhur vendimin e Trump me tensionet e fundit mes dy vendeve, duke pretenduar se presidentit amerikan “nuk i pëlqente Ontario dhe Kanadaja që mbronin veten”.
Përplasja rreth emrit të liqenit është bërë kështu një tjetër kapitull i luftës së fjalëve mes Trumpit dhe Kanadasë, në një kohë kur mosmarrëveshjet tregtare po shtojnë tensionet mes dy aleatëve të Amerikës së Veriut.






















