Një ndryshim historik në rregullat e familjes princërore të Lihtenshtajnit u ka hapur për herë të parë grave rrugën për të trashëguar fronin në kushte të barabarta me burrat.
Por pas reformës që u prezantua si një hap drejt barazisë gjinore fshihet një tjetër ndryshim i rëndësishëm: forcimi i pushtetit të Princit Alois.
Sipas dokumenteve të shqyrtuara nga Financial Times, vetëm tri ditë përpara se Alois të njoftonte publikisht ndryshimin për trashëgiminë e fronit, familja princërore kishte miratuar në heshtje një rishikim më të gjerë të ligjit të saj të brendshëm.
Ndryshimet i japin princit më shumë autoritet brenda dinastisë dhe reduktojnë disa prej mekanizmave të kontrollit që ushtronin anëtarët e tjerë të familjes.
Kjo ka tërhequr vëmendjen pasi monarku i Lihtenshtajnit ka tashmë kompetenca jashtëzakonisht të gjera krahasuar me shumicën e familjeve mbretërore europiane.
Princi mund të vendosë veton ndaj ligjeve, të shkarkojë qeverinë, të shpërndajë parlamentin, të ndikojë në emërimin e gjyqtarëve dhe madje të refuzojë ligje të miratuara me referendum.
Ndryshimet e fundit nuk u votuan nga parlamenti apo qytetarët, por nga vetë anëtarët e dinastisë. Sipas dokumenteve të FT, reforma mori rreth 70% të votave të familjes.
Familja princërore kundërshton pretendimin se reforma përqendron më shumë pushtet te monarku, duke argumentuar se shumë prej ndryshimeve janë teknike dhe nuk ndryshojnë ekuilibrin kushtetues mes princit dhe qytetarëve.
Megjithatë, reforma krijon një kontrast të fortë: ndërsa një nga monarkitë më tradicionale të Europës hap fronin për gratë pas më shumë se 300 vitesh, njëkohësisht princi konsolidon pozitat e tij në krye të dinastisë.






















