Bota 30 August 2026, 10:31 Nga VNA

Europa hap dosjet e Sarajevës, nacionalizmi serb rehabiliton Mladiçin: Pesë vende hetojnë “turistët” që paguanin për të vrarë

Ndaje në Whatsapp
Europa hap dosjet e Sarajevës, nacionalizmi serb rehabiliton

 

Më shumë se tri dekada pas rrethimit të Sarajevës, një nga historitë më makabre të luftës së Bosnjës po kthehet në një dosje ndërkombëtare hetimore. Italia, Austria, Belgjika, Bosnje-Hercegovina dhe Zvicra janë përfshirë në hetime ose verifikime mbi të ashtuquajturit “snajperë të fundjavës”: njerëz të pasur që dyshohet se paguanin shuma të mëdha për të shkuar në pozicionet e forcave serbo-boshnjake rreth Sarajevës dhe për të qëlluar mbi civilët e qytetit të rrethuar. 

Rikthimi i kësaj historie merr një peshë të veçantë pikërisht tani, vetëm pak ditë pas vdekjes në Hagë të Ratko Mladiçit, ish-komandantit të ushtrisë serbo-boshnjake, i cili po vuante dënimin me burgim të përjetshëm për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte. Ndërsa në Serbi dhe në pjesë të Republika Srpska vdekja e tij është shoqëruar me deklarata dhe tubime që e paraqesin si hero, në vende të tjera të Europës prokurorët po përpiqen ende të zbulojnë autorët e mundshëm të krimeve të kryera gjatë rrethimit të Sarajevës. 

Në qendër të hetimeve ndodhet Prokuroria e Milanos, e cila e hapi dosjen pas kallëzimit të gazetarit dhe shkrimtarit italian Ezio Gavazzeni. Ai kishte mbledhur dëshmi sipas të cilave italianë dhe shtetas të tjerë të huaj udhëtonin drejt Bosnjës dhe paguanin pjesëtarë të forcave serbo-boshnjake për të marrë pjesë në ekspedita ku objektiv ishin njerëzit.

Në Itali, hetimi drejtohet nga prokurori Alessandro Gobbis dhe kryeprokurori i Milanos Marcello Viola, me përfshirjen e njësisë ROS të karabinierëve. Deri në qershor, pesë persona ishin vendosur nën hetim. Mes tyre ndodheshin një ish-shofer kamioni, një ish-punonjës bashkie, një sipërmarrës dhe persona të tjerë që dyshohet se kishin udhëtuar drejt Bosnjës gjatë luftës. 

Hetimi italian ka prodhuar edhe zhvillime konkrete. Gjatë kontrollit në banesën e një prej të dyshuarve, karabinierët sekuestruan materiale që prokurorët i cilësuan si të rëndësishme, mes tyre një silenciator dhe materiale fotografike. Ish-partnerja e të dyshuarit kishte dëshmuar se ai i kishte folur për udhëtime nga Milano drejt Bosnjës dhe për njerëz që kalonin fundjavat duke qëlluar mbi myslimanë. Megjithatë, deri tani prokurorët italianë nuk konsiderojnë se kanë prova të mjaftueshme për të kërkuar dërgimin e të dyshuarve në gjyq. Hetimi vazhdon. 

Austria ka hapur gjithashtu një hetim penal. Një shtetas austriak dyshohet se gjatë luftës mund të ketë shkuar në Sarajevë dhe të ketë qëlluar mbi civilë. Hetimi austriak nisi në prill dhe më pas u zgjerua edhe ndaj një personi tjetër. 

Edhe Prokuroria Federale belge ka nisur hetime për përfshirjen e mundshme të shtetasve belgë. Pikërisht për shkak të dimensionit ndërkombëtar të çështjes, prokurorët italianë kanë zhvilluar koordinim me homologët belgë dhe boshnjakë përmes strukturave europiane të bashkëpunimit gjyqësor. 

Në Bosnje-Hercegovinë, Departamenti i Posaçëm për Krimet e Luftës pranë Prokurorisë ka konfirmuar se po trajton aktivisht dosjen “Sarajevo Safari”. Autoritetet boshnjake kanë kontaktuar si prokurorët italianë, ashtu edhe Mekanizmin Ndërkombëtar për Gjykatat Penale në Hagë për të verifikuar pretendimet. 

Në këtë rrjet hetimesh është përfshirë edhe Zvicra. Në maj u bë e ditur se autoritetet gjyqësore të Italisë, Bosnje-Hercegovinës, Zvicrës dhe Austrisë po përgatiteshin të koordinonin hetimet me ndihmën e Eurojust. Më pas çështjes iu shtua edhe Belgjika. Kështu, ajo që dikur qarkullonte si një histori pothuaj e pabesueshme e luftës së Bosnjës është sot objekt hetimesh dhe verifikimesh në pesë vende. 

Pretendimet për “snajperët turistë” morën vëmendje të madhe pas dokumentarit “Sarajevo Safari” të regjisorit slloven Miran Zupanič në vitin 2022. Më pas Gavazzeni e çoi çështjen te drejtësia italiane dhe këtë vit publikoi librin Cecchini del Weekend – “Snajperët e fundjavës”.

Sipas dëshmive që po verifikohen, të huaj të pasur udhëtonin drejt Bosnjës nën mbulesën e udhëtimeve të gjuetisë. Por “gjahu”, sipas akuzave, ishin civilët e Sarajevës. Pretendimet janë jashtëzakonisht të rënda, por një dallim mbetet thelbësor: hetimet janë reale dhe të konfirmuara, ndërsa ekzistenca dhe përmasat e këtyre “safarive” duhet ende të provohen përfundimisht përpara drejtësisë.

Rrethimi i Sarajevës zgjati nga viti 1992 deri në vitin 1995. Forcat serbo-boshnjake të drejtuara nga Mladiçi e rrethuan qytetin dhe e goditën atë me artileri dhe snajperë. Rreth 10 mijë civilë humbën jetën gjatë rrethimit. Gjykatat ndërkombëtare kanë përcaktuar se fushata e snajperëve dhe bombardimeve kishte si qëllim terrorizimin e popullsisë civile. 

Dhe pikërisht këtu hetimet e sotme përplasen me përpjekjet për rehabilitimin politik dhe publik të figurës së Mladiçit. Pas vdekjes së tij më 27 gusht në Hagë, në pjesë të botës serbe janë zhvilluar tubime dhe homazhe, ndërsa figura e tij vazhdon të paraqitet nga nacionalistët si ajo e një komandanti që mbrojti popullin serb. Familjarët e viktimave, nga ana tjetër, kanë reaguar ndaj glorifikimit të një njeriu të dënuar për gjenocid dhe krime kundër njerëzimit. 

Kështu, më shumë se 30 vjet pas luftës, po zhvillohen paralelisht dy beteja krejt të kundërta. Në Milano, Vjenë, Bruksel, Sarajevë dhe Zvicër kërkohen ende gjurmët e njerëzve që dyshohet se mund të kenë paguar për të vrarë civilë. Në Serbi dhe Republika Srpska, ndërkohë, vazhdon përpjekja për ta shndërruar në hero komandantin e forcave që e mbajtën Sarajevën nën rrethim.

Ratko Mladiçi vdiq në Hagë duke vuajtur dënimin me burgim të përjetshëm. Por hetimet për “snajperët e fundjavës” tregojnë se dosja e Sarajevës nuk është mbyllur. Dhe bashkë me kërkimin e autorëve të mundshëm të krimeve vazhdon edhe një betejë tjetër: ajo kundër rishkrimit të historisë së tyre.

Video

Vodhi një “Audi Q5” në rrugën dytësore Durrës-Tiranë dhe tentoi t’i shpëtonte policisë, por arratia e 35-vjeçarit italian përfundoi pranë Pallatit me Shigjeta. Gjatë ndjekjes ai përplasi disa automjete dhe goditi me makinë një efektiv policie. Si përfundoi në pranga italiani? Lajmi i plotë në koment.

Një 68-vjeçar është arrestuar në Kanada, pasi dyshohet se i ka vënë zjarrin Kishës Katolike St. Simon. Zjarri përfshiu me shpejtësi ndërtesën, ndërsa pamjet e filmuara nga vendngjarja tregojnë kishën të mbuluar nga flakët dhe tymi. Si pasojë e zjarrit, kulla e kishës u shemb.

Forcat amerikane kanë fundosur në Paqësorin Lindor një anije të dyshuar se përdorej si pikë lundruese furnizimi për trafikantët detarë të drogës. Marinsa dhe marinarë nga anija USS “San Antonio” hipën në bordin e mjetit lundrues dhe morën kontrollin pa incidente. Personat që ndodheshin në bord iu dorëzuan më pas autoriteteve të Ekuadorit, ndërsa anija u fundos nga forcat amerikane. Sipas Komandës Jugore të SHBA-së, anija dyshohet se mbështeste organizatën kriminale ekuadoriane “Los Choneros” në operacionet e trafikut të paligjshëm të drogës.

Një bombol gazi ka shpërthyer mbrëmjen e sotme në një banesë në fshatin Markatomaj të Lezhës. Sipas informacioneve paraprake, nga shpërthimi raportohet se kanë mbetur të plagosur 5 persona, pjesëtarë të së njëjtës familje. Të plagosurit janë dërguar me urgjencë në Spitalin e Lezhës, për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore. Tre prej tyre ndodhen në gjendje të rëndë shëndetësore, pasi kanë pësuar djegie të shumta në trup.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme