Bota 30 August 2026, 10:04 Nga VNA

“Parada” e vendimeve amerikane: 10 më të mirat dhe 10 më të këqijat në 250 vjet histori

Ndaje në Whatsapp
“Parada” e vendimeve amerikane: 10 më të mirat dhe 10

 

Këshilli për Marrëdhëniet Ndërkombëtare, një organizatë kombëtare e pavarur, një institut kërkimor, edukues dhe botues, ndër të tjera edhe i revistës Foreign Affairs (çështjet ndërkombëtare) dhe jopartiake, e themeluar në vitin 1921, ka zhvilluar një vrojtim me historianë, anëtarë të Society for Historians of American Foreign Relations (Shoqata e Historianëve për Marrëdhëniet Ndërkombëtare Amerikane - SHAFR).

Qëllimi i vrojtimit ishte të përzgjidheshin 10 vendimet më të mira dhe 10 vendimet më të këqija të SHBA-së në arenën ndërkombëtare përgjatë 250 viteve. Si vendimet më të mira konsiderohen ato vendime që në gjykimin e historianëve ndihmonin më së shumti në avancimin e interesave dhe vlerave të SHBA-së, ndërsa më të këqija ato që dëmtuan më së shumti këto vlera dhe interesa. Në vrojtim morën pjesë mbi 300 anëtarë të SHAFR, vlerësimi i të cilëve ka prodhuar renditjen e mëposhtme:

10 vendimet më të mira

Vendi i 10-të: 1962 – Menaxhimi i krizës së raketave kubane

Në tetor 1962, gjatë një patrullimi ajror vëzhgues të Forcave Ajrore të SHBA-së mbi Kubë u zbuluan prova për atë që zyrtarët amerikanë ia kishin patur frikën: Në ishull Bashkimi Sovjetik po vendoste raketa të pajisura me armë bërthamore. Zbulimi u pasua nga një krizë trembëdhjetëditore që e çoi botën në prag të luftës bërthamore.

Presidenti Xhon F. Kenedi fillimisht ishte në favor të sulmeve ajrore për të shkatërruar bazat e raketave, përpara se ato të bëheshin funksionale. Por, i shqetësuar se situata mund të përshkallëzohej në diçka të paimagjinueshme, ai komunikoi fshehtazi me udhëheqësin sovjetik Nikita Hrushov, që çoi në përfundimin e krizës. Të alarmuar nga kjo ngjarje, Kennedi dhe Hrushovi më pas negociuan disa marrëveshje që ulën tensionet midis dy kryeqyteteve dhe hapën rrugën për epokën e kontrollit të armëve.

Vendi i 9-të: 1823 – Doktrina Monro

Më 2 dhjetor 1823, Presidenti Xhejms Monro në fjalimin e tij të dërguar në Kongres me shkrim paraqiti atë që do të shndërrohej në deklaratë klasike të politikës së jashtme amerikane: Doktrina Monro.

President deklaroi se Hemisfera Perëndimore ishte e mbyllur ndaj kolonizimit të mëtejshëm europian dhe pretendoi të drejtën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të mbrojtur sovranitetin e republikave të pavarura të Hemisferës Perëndimore. Të dyja këto pretendime ishin deklarata të guximshme, të cilat vendi nuk kishte mundësi t’i mbështeste me forcë në atë kohë. Megjithatë, këto “blofe” bazoheshin në një analizë të zgjuar diplomatike, e cila i sinjalizoi botës ambiciet e gjera të shtetit të ri amerikan.

Vendi i 8-të: 1807 – Akti që ndaloi importimin e skllevërve

Në verën e vitit 1787 në Filadelfia u mblodh Konventa Kushtetuese për të diskutuar për çështjen e së ardhmes së skllavërisë. Disa delegatë nga shtetet veriore shpresonin ta ndalonin këtë praktikë. Ndërsa shtetet jugore nuk e pranonin, due preferuar të largoheshin nga konventa.

Delegatët e shteteve të veriut në fund ata hoqën dorë nga kjo përpjekje, megjithatë, e fituan një lëshim. Kushtetuta parashikonte që, pas një pritjeje njëzetvjeçare, Kongresi mund të ndalonte importimin e skllevërve. Në mars 1807, me kërkesë të Presidentit Tomas Xheferson, Kongresi bëri pikërisht këtë. Më 1 janar 1808, hyri në fuqi ligji që ndalonte importimin e skllevërve. Ai ishte ligji i parë amerikan që u shkëput nga sistemi transatlantik i skllavërisë dhe kufizoi pjesëmarrjen e SHBA-së në tregtinë ndërkombëtare të skllevërve.

Vendi i 7-të: 1944 – Krijimi i Sistemit të Bretton Woods

Presidenti Frenklin D. Rusvelt gjatë Luftës së Dytë Botërore po përpiqej të hidhte themelet e botës që do të vinte pas përfundimit të saj. Ai besonte se lufta kishte nisur pjesërisht për shkak të politikave të gabuara tregtare dhe monetare të ndjekura nga shtetet gjatë viteve 1930, të cilat kishin shkaktuar Depresionin e Madh dhe kishin nxitur nacionalizmin.

Gjithashtu pesidenti e dinte se pas përfundimit të luftës kompanitë dhe fermerët amerikanë do të donin të eksportonin në tregjet e huaja. Me synimin të korrigjonte gabimet e së kaluarës dhe të nxiste prosperitetin në të ardhmen, në korrik 1944 në Bretton Woods, New Hampshire Rusvelt mblodhi përfaqësues nga 44 vende.

Për tre javë, delegatët e konferencës—e njohur zyrtarisht si Konferenca Monetare dhe Financiare e Kombeve të Bashkuara—hartuan rregullat për një sistem të ri monetar ndërkombëtar. Në qendër të tij qëndronin dy institucione të reja shumëpalëshe: Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe Banka Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, e njohur më shumë Banka Botërore. Ato u bënë shtyllat e rendit ekonomik global të pasluftës.

Vendi i 6-të: 1949 – Krijimi i NATO-s

Për pjesën më të madhe të historisë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës ndoqën traditën e përcaktuar nga Tomas Xheferson, në fjalimin e tij të parë presidencial, për t´iu shmanguar asaj që Xheferson i quajti si “aleanca ngatërruese” me vendet e tjera. Kjo nënkuptonte, mbi të gjitha, qëndrimin larg çështjeve politike të Europës.

Por u shkëputën nga kjo traditë kur hynë në Luftën e Parë Botërore, megjithëse Presidenti Udrou Uillson këmbënguli se SHBA-ja luftonte përkrah Francës dhe Britanisë së Madhe si një “fuqi e asociuar” dhe jo si aleate. Pas përfundimit të luftës, SHBA-ja u tërhoq sërish nga Europa. Ky model dukej se do të përsëritej edhe pas dorëzimit të Gjermanisë në fund të Luftës së Dytë Botërore.

Megjithatë, përpjekjet sovjetike për të dominuar Europën bënë që SHBA-ja të ribënte llogaritjet. Në vend që të ktheheshin në shtëpi, Shtetet e Bashkuara të Amerikës u angazhuan për mbrojtjen e Europës përmes krijimit të Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO). Ajo u bë aleanca ushtarake më e suksesshme në histori, duke frenuar Bashkimin Sovjetik dhe duke sjellë atë që është quajtur “Paqja e Gjatë” në Europë.

Vendi i 5-të: 1941 – Ligji i hua-qira-dhënies

Në dhjetor 1940, kryeministri britanik Uinstën Çërçill i shkroi Presidentit të SHBA-së Frenklin Rusvelt me një lajm alarmues: Britania ishte në prag të falimentimit. Lufta me Gjermaninë, e cila kishte filluar seriozisht në pranverën e vitit 1940, kishte zbrazur thesarin britanik.

Rusvelt u vu në një pozitë të vështirë. Një muaj më parë, ai kishte fituar një mandat të tretë presidencial, të paprecedentë, pasi u kishte premtuar amerikanëve të shqetësuar për konfliktin në Europë se “djemtë e tyre nuk do të dërgoheshin në asnjë luftë të huaj”. Por ai besonte se një fitore gjermane do të ishte katastrofike për Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Prandaj për tre muajt në vijim u përpoq të siguronte mbështetjen e Kongresit dhe të publikut për një plan që t’u jepte hua furnizime Britanisë dhe vendeve të tjera që luftonin kundër Fuqive të Boshtit. Ligji i hua-qira-dhënies, të cilin Çërçill e quajti “akti më vetëmohues”, siguroi më shumë se 50 miliardë dollarë ndihmë për 50 vende dhe ndihmoi në fitoren e Luftës së Dytë Botërore.

Vendi i 4-ërt: 1803 – Blerja e Luizianës

Shtetet e Bashkuara të Amerikës pas Luftës Revolucionare fituan pavarësinë, por si shtet i ri ishin të cenueshëm ndaj fuqive të huaja. Si Franca, ashtu edhe Spanja pretendonin territore në perëndim të 13 shteteve të para që përbënin SHBA-të. Një pjesë e madhe e tregtisë së pjesës perëndimore të atëhershme të SHBA-së kalonte përmes lumit Misisipi.

Fillimisht Spanja dhe më pas Franca kontrollonin portin e Nju Orleansit, duke krijuar rrezikun që secila prej tyre të mund ta dëmtonte rëndë ekonominë amerikane duke i ndërprerë vendit daljen në det. Në vitin 1803, Presidenti Tomas Xheferson dërgoi përfaqësues në Paris me udhëzime për të paguar deri në 10 milionë dollarë për të blerë Nju Orleansin dhe sa më shumë territor në lindje të qytetit.

Megjithatë, Napoleon Bonaparti u bëri amerikanëve një ofertë të papritur: ai do t’ua shiste të gjithë territorin e Luizianës për 15 milionë dollarë. Xhefersoni ishte i shqetësuar se Kushtetuta nuk kishte asnjë parashikim që ta autorizonte një blerje të tillë. Megjithatë, ai i la mënjanë kundërshtimet e tij dhe e pranoi menjëherë marrëveshjen. Blerja më shumë se dyfishoi madhësinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, siguroi kontrollin mbi lumin Misisipi dhe e vendosi vendin në rrugën drejt shndërrimit në një fuqi kontinentale.

Vendi i 3-të: 1778 – Traktati i Aleancës me Francën

Kur në vitin 1776, 13 kolonitë shpallën pavarësinë, ato iu drejtuan për ndihmë Francës, rivalit të Britanisë së Madhe. Në fillim, Franca ofroi vetëm mbështetje të fshehtë. Ajo kishte frikë se mbështetja publike e rebelëve, të cilët kishin shumë gjasa të humbnin, do të rrezikonte një luftë me Britaninë e Madhe pa përfitime të mëdha.

Por diplomacia e aftë amerikane dhe një fitore vendimtare amerikane në fushën e betejës ndryshuan llogaritë franceze. Më 6 shkurt 1778, Franca njohu pavarësinë e 13 kolonive amerikane dhe u zotua të mbështeste luftën e tyre kundër Britanisë së Madhe. Marrëveshja, e formalizuar në dy traktate të veçanta, ishte një pikë kthese në Luftën Revolucionare Amerikane.

Hyrja e Francës në luftë e detyroi gjithashtu Britaninë e Madhe të shpërndante forcat e saj për t’u mbrojtur nga kërcënimet ndaj interesave të saj në Europë dhe në Karaibe, si dhe në 13 kolonitë. Një luftë që kolonët dukej se ishin të destinuar ta humbnin u shndërrua në një luftë që ata e fituan—dhe kjo ndryshoi rrjedhën e historisë.

Vendi i 2-të: 1945 – Krijimi i Kombeve të Bashkuara

Më 24 tetor 1945, hyri në fuqi Karta e Kombeve të Bashkuara, duke përcaktuar strukturën, parimet dhe qëllimin e Kombeve të Bashkuara. Organizata e re ishte kulmi i një përpjekjeje shumëvjeçare të udhëhequr nga Presidenti Frenklin Rusvelt, i cili kishte vdekur gjashtë muaj më parë.

Objektivi ishte të trajtoheshin dështimet e Lidhjes së Kombeve, organizatë e krijuar pas Luftës së Parë Botërore, duke zhvilluar një institucion të ri ndërkombëtar që do të formalizonte përpjekjet e përbashkëta për ruajtjen e paqes dhe sigurisë globale, zhvillimin e marrëdhënieve miqësore ndërkombëtare dhe trajtimin e problemeve ekonomike, sociale, kulturore, humanitare dhe të shëndetit publik në mbarë botën.

Vendi i 1-rë: 1948 – Plani Marshall

Më 3 prill 1948, Presidenti Harri Truman nënshkroi Aktin e Bashkëpunimit Ekonomik i vitit 1948, i njohur si Plani Marshall. I emërtuar sipas mbështetësit të tij kryesor, Sekretarit të Shtetit Xhorxh Marshall, ligji autorizoi një nga programet më të mëdha të ndihmës së huaj në histori.

Nga viti 1948 deri në vitin 1951, Shtetet e Bashkuara të Amerikës u siguruan 16 vendeve të Europës Perëndimore 13.2 miliardë dollarë ndihmë, ekuivalente me rreth 180 miliardë dollarë sot, për blerjen e ushqimeve dhe mallrave dhe për investime në infrastrukturë dhe industri. Plani Marshall rigjallëroi Europën e pasluftës, kufizoi ndikimin sovjetik në Europën Perëndimore, nxiti bashkëpunimin ndërmjet vendeve europiane dhe forcoi udhëheqjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në aleancën transatlantike.

10 vendimet më të këqija

Vendi i 10-të: 1945 – Bombardimi i Nagasakit

Më 6 gusht 1945, Shtetet e Bashkuara të Amerikës hodhën një bombë atomike mbi Hiroshima, Japoni. Përdorimi për herë të parë i armës bërthamore vrau gjithsej rreth 140,000 njerëz, shumica e të cilëve civilë. Tri ditë më vonë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës hodhën një tjetër bombë atomike mbi Nagasaki. Rreth 40,000 njerëz, përsëri kryesisht civilë, vdiqën menjëherë. Edhe 34,000 të tjerë vdiqën mes dhimbjesh gjatë javëve që pasuan.

Presidenti Harri Truman argumentoi se bombardimet ishin të nevojshme për ta detyruar Japoninë të dorëzohej dhe për të shmangur atë që, sipas tij, do të kishte qenë një pushtim amerikan shumë më vdekjeprurës. Vendimet e Trumanit, veçanërisht vendimi për të bombarduar Nagasakin, ende debatohen shumë.

Sulmet shkaktuan shkatërrim të tmerrshëm të popullsisë civile, me pasoja afatgjata. Bombardimi i Nagasakit u krye dy ditë më herët sesa ishte planifikuar për të shmangur motin e keq, duke i lënë qeverisë japoneze më pak kohë për të vlerësuar atë që kishte ndodhur në Hiroshima dhe ndoshta për të hequr dorë nga lufta. Komentet private të Trumanit sugjerojnë se vendimi i tij për të bombarduar Nagasakin mund të ketë pasur si qëllim jo vetëm detyrimin e Japonisë për t’u dorëzuar, por edhe frikësimin e Bashkimit Sovjetik.

Vendi i 9-të: 1964 – Rezoluta e Gjirit të Tonkinit

Më 2 gusht 1964, anije patrulluese të Vietnamit të Veriut sulmuan USS Maddox, një destrojer amerikan që vepronte në ujërat ndërkombëtare të Gjirit të Tonkinit, pranë brigjeve të Vietnamit të Veriut. Dy net më pas, Maddox raportoi se ishte sulmuar përsëri.

Presidenti Lindon Xhonson reagoi duke urdhëruar sulme ajrore kundër Vietnamit të Veriut, sulmi i parë i hapur amerikan ndaj këtij vendi. Xhonson i kërkoi Kongresit të miratonte vendimin e tij për t’u përballur me agresionin vietnamez të Veriut. Kongresi veproi në më pak se 72 orë, duke miratuar Rezolutën e Gjirit të Tonkinit.

Ajo që anëtarët e Kongresit nuk dinin ishte se shumë nga informacionet që administrata Xhonson u kishte dhënë për arsyen pse Maddox ndodhej në Gjirin e Tonkinit ishin të pavërteta dhe se sulmi i dytë me shumë gjasa nuk kishte ndodhur fare. Duke vepruar me nxitim dhe mbi bazën e informacioneve të gabuara, Kongresi miratoi zgjerimin e përfshirjes amerikane në atë që do të shndërrohej në Luftën e Vietnamit.

Vendi i 8-të: 1939 – Kufizimet për refugjatët hebrenj nga Gjermania

Përndjekja që Gjermania naziste u bëri gjatë viteve 1930 personave të cilësuar si “joarianë” i shtyu hebrenjtë, fillimisht në Gjermani dhe më pas në vendet e pushtuara nga Gjermania, të kërkonin strehim diku tjetër. Shumë refugjatë shpresonin të gjenin siguri në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Megjithatë, edhe ndërsa kontrolli nazist mbi Europën zgjerohej, Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kufizuan rreptësisht imigracionin. Refuzimi për t’iu përgjigjur krizës humanitare në rritje pasqyronte antisemitizëm, nativizëm, burokraci dhe frikëra të pabazuara se refugjatët do të bëheshin barrë për qeverinë ose do të vepronin si spiunë gjermanë.

SHBA-ja vazhdoi politikën e saj kufizuese të imigracionit edhe pse Presidenti Frenklin Rusvelt dhe zyrtarë të tjerë zyrtarë të lartë amerikanë dënonin trajtimin që Gjermania u bënte hebrenjve dhe gazetat amerikane raportonin shpesh për vuajtjet e refugjatëve. Refuzimi i SHBA-së për të pranuar më shumë refugjatë bëri që dhjetëra-mijëra njerëz që mund të ishin shpëtuar të vdisnin në Holokaust.

Vendi i 7-të: 2017 – Tërheqja nga Marrëveshja e Parisit

Nënshkrimi i Marrëveshjes së Parisit në dhjetor 2015 shënoi një përparim të rëndësishëm në diplomacinë klimatike. Pas shumë përpjekjesh të mëparshme të dështuara, 194 vende ranë dakord të punonin për reduktimin e emetimeve të gazrave që bllokojnë nxehtësinë, si dioksidi i karbonit dhe metani, të cilat po ndryshojnë klimën.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës, një nga emetuesit më të mëdhenj në botë çdo vit dhe emetuesi më i madh historikisht në total, ishin ndër vendet që nënshkruan Marrëveshjen e Parisit. Më 1 qershor 2017, Presidenti Donald Tramp, përmbushi një premtim elektoral duke njoftuar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të tërhiqeshin nga Marrëveshja e Parisit.

Ai argumentoi se marrëveshja do të dëmtonte industrinë amerikane të energjisë dhe do t’u kushtonte miliona vende pune amerikanëve, ndërkohë që do të bënte pak për të kufizuar ndryshimet klimatike, diçka që ai e kishte quajtur vazhdimisht “mashtrim”. Asnjë vend tjetër nuk ndoqi shembullin e Trampit, duke e lënë SHBA-në të izoluar diplomatikisht ndërsa temperaturat mesatare globale u rritën dhe ngjarjet ekstreme të motit u shtuan.

Vendi i 6-të: 1838 – Dëbimi me forcë i kombit Cherokee

Në fillim të shekullit XIX, kolonët e bardhë në pjesën lindore të Shteteve të Bashkuara të Amerikës po zgjeroheshin gjithnjë e më shumë në tokat e amerikanëve vendas. Megjithëse qeveria amerikane kishte nënshkruar traktate që përcaktonin territoret e vendasve, presioni politik u rrit për t’i shpërfillur ato.

Në vitin 1830, Kongresi miratoi Ligjin e Dëbimit të Indianëve, i cili autorizonte presidentin t’u jepte fiseve vendase toka në perëndim të lumit Misisipi nëse ato hiqnin dorë nga tokat e tyre në lindje të tij. Në vitin 1832, Gjykata Supreme e SHBA-së vendosi se amerikanët vendas përbënin “kombe të veçanta” dhe nuk i nënshtroheshin ligjeve të shteteve. Presidenti Endrju Xhekson e shpërfilli këtë vendim.

Më 23 maj 1838, anëtarët e parë të kombit Cherokee u dëbuan nga tokat e tyre në atë që sot është pjesa juglindore e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe u detyruan të marshonin drejt territorit të tyre të ri në verilindje të Oklahomës. 4,000 nga 16,000 Cherokee që nisën udhëtimin vdiqën gjatë rrugës, e cila u bë e njohur si “Shtegu i Lotëve”.

Vendi i 5-të: 1919 – Refuzimi nga Senati i Traktatit të Versajës

Hyrja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Luftën e Parë Botërore përbënte një shkëputje nga praktika e gjatë amerikane për të qëndruar jashtë çështjeve politike të Europës. Presidenti Udrou Uillson e pa këtë ndryshim si një mundësi për të ristrukturuar politikën botërore në mënyrë që konfliktet e ardhshme të bëheshin më pak të mundshme.

Në dhjetor 1918, ai shkoi në Paris për të negociuar përfundimin e luftës. Atje negocioi Traktatin e Versajës, i cili përfshinte vizionin e tij për krijimin e Lidhjes së Kombeve, që do të punonte për ruajtjen e paqes.

Megjithatë, Uillsoni nuk pati të njëjtin sukses në vendin e tij. Në nëntor 1919 dhe përsëri në mars 1920, Senati refuzoi Traktatin e Versajës dhe, bashkë me të, edhe Lidhjen e Kombeve. Lidhja filloi të funksiononte në vitin 1920, por mungesa e Shteteve të Bashkuara të Amerikës e dobësoi punën e saj. Refuzimi për t’u bashkuar me Lidhjen e bëri gjithashtu më të lehtë që SHBA-ja të shpërfillte krizat botërore në rritje gjatë dy dekadave të ardhshme, një vendim për të cilin më vonë do të pendohej.

Vendi i 4-ërt: 1953 – Mbështetja për përmbysjen e kryeministrit iranian Muhamed Mosadek

Muhamed Mosadek u bë kryeministër i Iranit në prill 1951. Një nacionalist i zjarrtë, ai u ngrit në pushtet duke sfiduar dominimin e Britanisë së Madhe mbi ekonominë dhe politikën iraniane.

Një muaj para se të bëhej kryeministër, Mosadeku udhëhoqi përpjekjen e Mexhlisit iranian (parlamentit) për të shtetëzuar kompaninë anglo-iraniane të naftës (AIOC), e cila kontrollohej nga qeveria britanike. Në vend që të kërkonte një kompromis me Teheranin, Londra u përpoq ta anulonte ligjin duke dëmtuar eksportet iraniane të naftës, burimin kryesor të të ardhurave të qeverisë.

Presidenti Harri Truman refuzoi përpjekjet britanike për ta përfshirë SHBA-në në presionin ndaj Iranit që t’ia kthente Britanisë pronësinë e AIOC-së. Argumentet britanike se Mosadeku po destabilizonte Iranin u panë më me simpati kur president u bë Duajt Ajsenauer.

Duke pasur frikë se një marrje e pushtetit nga komunistët në Iran po bëhej gjithnjë e më e mundshme, Ajsenauer autorizoi Operacionin Ajax për ta rrëzuar Mosadekun. Grushti i shtetit ndodhi në gusht 1953. Suksesi i tij nxiti përpjekjet e mëvonshme amerikane për të destabilizuar qeveritë që Uashingtoni nuk i pëlqente, ndërsa nacionalistët iranianë e përdorën grushtin e shtetit për të nxitur antiamerikanizmin në Iran.

Vendi i 3-të: 1830 – Akti i Dëbimit të Indianëve

Kolonët e bardhë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës të fillimit të shekullit XIX dëshironin tokat që mbaheshin nga amerikanët vendas. Qeveria amerikane fillimisht u përpoq të kufizonte konfliktin duke i trajtuar fiset vendase si kombe sovrane dhe duke negociuar traktate që përcaktonin kufijtë e territoreve të tyre.

Megjithatë, qeveria amerikane në përgjithësi bëri pak për t’i detyruar kolonët të respektonin kushtet e traktateve. Përkundrazi, Uashingtoni shpesh u impononte amerikanëve vendas traktate të reja me kushte edhe më të pafavorshme.

Ndërsa tensionet midis dy komuniteteve rriteshin, në SHBA u përhap gjithnjë e më shumë mbështetja për dëbimin e amerikanëve vendas nga tokat e tyre stërgjyshore. Në vitin 1830, me kërkesë të Presidentit Endrju Xhekson, Kongresi miratoi Ligjn e Dëbimit të Indianëve. Gjatë dy dekadave pasuese, qeveria amerikane hodhi poshtë detyrimet e saj solemne ndaj traktateve dhe detyroi deri në 100,000 amerikanë vendas që jetonin në lindje të Misisipit të zhvendoseshin në toka më të vogla në perëndim të lumit.

Vendi i 2-të: 1965 – Dërgimi i forcave luftarake në Vietnam

Më 8 mars 1965, 3,500 marinsa nga Brigada e 9-të Ekspedicionare e Marinës mbërritën në Da Nang, Vietnami i Jugut. Misioni i tyre ishte të mbronin një bazë ajrore amerikane nga sulmet e të ashtuquajturit Fronti Nacionalçlirimtar (NLF), një forcë guerile që kërkonte të përmbyste qeverinë e Vietnamit të Jugut dhe që amerikanët e njihnin më shpesh me emrin përçmues Viet Kong.

Gjashtë ditë më parë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kishin nisur Operacionin Rolling Thunder, një fushatë bombardimesh kundër Vietnamit të Veriut që do të zgjaste tre vjet. Disa zyrtarë amerikanë kundërshtuan dërgimin e marinsave në Da Nang, duke parashikuar se Presidenti Lindon Xhonson së shpejti do të vihej nën presion për të dërguar edhe më shumë trupa në një luftë që nuk mund të fitohej lehtë.

Pavarësisht dyshimeve të tij të thella për aftësinë e SHBA-së për ta fituar konfliktin, të cilin ai e quajti “rrëmuja më e keqe që kam parë ndonjëherë në jetën time”, Xhonson dërgoi 120,000 trupa të tjera në Vietnamin e Jugut gjatë pesë muajve pasues dhe më shumë se gjysmëmilioni gjatë tre viteve të ardhshme. Megjithatë, lufta mbeti e pafitueshme.

Vendi i 1-rë: 2003 – Pushtimi i Irakut

Sulmet e 11 shtatorit 2001 rritën frikën në Shtetet e Bashkuara të Amerikës se Iraku mund t’u jepte terroristëve armë të shkatërrimit në masë. Megjithëse Kombet e Bashkuara i kishin bërë presion Irakut që të çmontonte programet e tij të armëve bërthamore, biologjike dhe kimike pas Luftës së Gjirit të vitit 1991, Presidenti Xhorxh Bush argumentoi se udhëheqësi irakian Sadam Huseini kishte vazhduar t’i zhvillonte ato.

Në fund të vitit 2002, Këshilli i Sigurimit i OKB-së e kërcënoi Irakun me “pasoja serioze” nëse nuk bashkëpunonte për inspektimet e armëve, por nuk autorizoi një pushtim. Shtetet e Bashkuara të Amerikës reaguan duke organizuar një “koalicion të vullnetshëm” për ta rrëzuar Huseinin.

Operacioni Iraqi Freedom (Liria e Irakut) filloi më 20 mars 2003 dhe forcat irakiane u mposhtën shpejt. Megjithatë, nuk u gjet asnjë provë për ekzistencën e programeve aktive irakiane të armëve të shkatërrimit në masë. Shtetet e Bashkuara të Amerikës u përfshinë në një luftë të përgjakshme pushtimi dhe okupimi që zgjati tetë vjet dhe i kushtoi vendit shumë shtrenjtë. Lufta dëmtoi reputacionin global të SHBA-së dhe fuqizoi forcat antiamerikane në të gjithë Lindjen e Mesme dhe më gjerë në botë.

Video

Vodhi një “Audi Q5” në rrugën dytësore Durrës-Tiranë dhe tentoi t’i shpëtonte policisë, por arratia e 35-vjeçarit italian përfundoi pranë Pallatit me Shigjeta. Gjatë ndjekjes ai përplasi disa automjete dhe goditi me makinë një efektiv policie. Si përfundoi në pranga italiani? Lajmi i plotë në koment.

Një 68-vjeçar është arrestuar në Kanada, pasi dyshohet se i ka vënë zjarrin Kishës Katolike St. Simon. Zjarri përfshiu me shpejtësi ndërtesën, ndërsa pamjet e filmuara nga vendngjarja tregojnë kishën të mbuluar nga flakët dhe tymi. Si pasojë e zjarrit, kulla e kishës u shemb.

Forcat amerikane kanë fundosur në Paqësorin Lindor një anije të dyshuar se përdorej si pikë lundruese furnizimi për trafikantët detarë të drogës. Marinsa dhe marinarë nga anija USS “San Antonio” hipën në bordin e mjetit lundrues dhe morën kontrollin pa incidente. Personat që ndodheshin në bord iu dorëzuan më pas autoriteteve të Ekuadorit, ndërsa anija u fundos nga forcat amerikane. Sipas Komandës Jugore të SHBA-së, anija dyshohet se mbështeste organizatën kriminale ekuadoriane “Los Choneros” në operacionet e trafikut të paligjshëm të drogës.

Një bombol gazi ka shpërthyer mbrëmjen e sotme në një banesë në fshatin Markatomaj të Lezhës. Sipas informacioneve paraprake, nga shpërthimi raportohet se kanë mbetur të plagosur 5 persona, pjesëtarë të së njëjtës familje. Të plagosurit janë dërguar me urgjencë në Spitalin e Lezhës, për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore. Tre prej tyre ndodhen në gjendje të rëndë shëndetësore, pasi kanë pësuar djegie të shumta në trup.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme