Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, është njoftuar se i është dhënë vizë amerikane dhe pritet të udhëtojë javën e ardhshme drejt Shteteve të Bashkuara.
Të njëjtat burime thonë se kryedemokrati pritet të tërheqë pasaportën nesër paradite pranë Ambasadës së SHBA-së në Tiranë. Lajmi u përhap fillimisht në mënyrë të heshtur nga deputetja Jorida Tabaku, ndërsa nënkryetari i PD-së Belind Këlliçi reagoni me entuziazëm në Facebook me shprehjen “bac u kry”.
Berisha vetë konfirmoi sot se dokumentet e tij ndodhen në Ambasadën Amerikane. Ai tha se do të shkojë në Teksas për të marrë pjesë në konferencën e Partisë Republikane, si pjesë e një delegacioni ndërkombëtar të ftuar nga International Democrat Union (IDU). “Nuk kam prenotuar asnjë takim. Unë shkoj në Teksas në një konferencë të Partisë Republikane Amerikane. Jam në një delegacion ndërkombëtar, i gjerë, i cili është i ftuar nga partia kryesore në IDU”, deklaroi ai.
Konventa Republikane pritet të mbahet në Dallas më 9 dhe 10 shtator. Berisha ka thënë se ka edhe një ftesë të dytë nga një institut amerikan i lidhur me këtë aktivitet.
Megjithatë, emri i Sali Berishës, bashkëshortes Liri Berisha, djalit Shkëlzen Berisha dhe vajzës Argita Malltezi vazhdon të figurojë në listën publike të personave të dizenjuar sipas seksionit 7031(c) të Departamentit të Shtetit, për shkak të akuzave për “korrupsion të konsiderueshëm”. Dizenjimi u bë në maj 2021 nga administrata Biden.
Në qershor 2026, Departamenti i Shtetit konfirmoi se kishte lëshuar “waivers” (përjashtime) për disa dizenjime të mëparshme, duke argumentuar se kjo i shërbente “interesit kombëtar bindës” të SHBA-së. Berisha e ka paraqitur këtë si heqje të ndalimit të hyrjes, ndërsa lista zyrtare nuk është ndryshuar publikisht.
Udhëtimi pritet të bëhet me vizë njëkalimshe. Deri tani nuk ka konfirmim zyrtar publik nga Ambasada Amerikane në Tiranë për lëshimin e vizës.






















