Erjona Ismaili ka dhënë dorëheqjen nga detyra e bashkëkryetares së Partisë Socialiste të Vlorës, pas 1 viti e 3 muajsh në drejtimin e strukturës socialiste.
Përmes një reagimi publik, Ismaili njofton se vendimi vjen në kuadër të fazës së fundit të riorganizimit të Partisë Socialiste, duke i hapur rrugë procesit të përzgjedhjes së drejtuesve të rinj të PS-së së Vlorës.
Ajo e cilëson periudhën në drejtim si një privilegj dhe përgjegjësi, ndërsa shpreh mirënjohjen për besimin e dhënë nga kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama.
Ismaili thotë se gjatë kësaj periudhe është përpjekur ta ushtrojë detyrën me përkushtim, korrektësi dhe integritet, duke qenë e vetëdijshme për përgjegjësinë që mbart drejtimi dhe përfaqësimi i një strukture të rëndësishme politike.
Në reagimin e saj, Ismaili falënderon socialistët, anëtarët, drejtuesit dhe bashkëpunëtorët për mbështetjen, besimin dhe punën e përbashkët gjatë kësaj periudhe.
Postimi i plotë
Ka qenë privilegj dhe përgjegjësi që, për 1 vit e 3 muaj, të drejtoja si bashkëkryetare Partinë Socialiste të Vlorës, falë besimit dhe mundësisë së dhënë nga Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama. Një detyrë që jam përpjekur ta ushtroj me përkushtim, korrektësi dhe integritet, e vetëdijshme për përgjegjësinë që mbart drejtimi dhe përfaqësimi i një strukture kaq të rëndësishme. Sot, në kuadër të fazës së fundit të riorganizimit të Partisë Socialiste, jap dorëheqjen nga detyra e bashkëkryetares, duke i hapur rrugë procesit demokratik të përzgjedhjes së drejtuesve të rinj të Partisë Socialiste të Vlorës. Faleminderit çdo socialisti, anëtari, drejtuesi dhe bashkëpunëtori për mbështetjen, besimin dhe punën e përbashkët gjatë kësaj periudhe, duke më nxitur të jap më të mirën dhe të kontribuoj për një model drejtimi të bazuar te puna, përgjegjësia dhe respekti për njerëzit. Mirënjohëse për këtë kapitull dhe për gjithçka ndërtuam së bashku.






















