Në të njëjtën orë kur Edi Rama kishte mbledhur ministrat dhe drejtuesit politikë të qarqeve, nga qelia e burgut të Durrësit Erion Veliaj ka ushtruar kompetencën e tij si kryetar i Bashkisë së Tiranës dhe ka revokuar delegimin e detyrave për nënkryetaren Anuela Ristani.
Vendimi vjen pas zhvillimeve të fundit në Gjykatën Kushtetuese, të cilat, sipas arsyetimit të Veliajt, kanë konfirmuar vijimësinë e mandatit të tij si kryetar i zgjedhur i Bashkisë së Tiranës. Në këtë logjikë, Veliaj argumenton se delegimi i përkohshëm i kompetencave nuk mund të kthehet në pushtet të pavarur nga autoriteti i kryetarit të zgjedhur.
Anuela Ristani ishte vendosur në krye të administrimit të Bashkisë pas arrestimit të Veliajt. Dikur një prej njerëzve më të besuar dhe më të bindur të tij në institucion, ajo u kthye brenda pak muajsh në një prej figurave më të afërta me linjën e Edi Ramës në Bashkinë e Tiranës.
Përplasja mes tyre nuk mbeti vetëm në korridoret e institucionit. Ristani ka refuzuar të zbatojë urdhra që vinin nga Veliaj dhe është përplasur publikisht me njerëz të konsideruar si të afërt të kryebashkiakut në Bashkinë e Tiranës. Në arsyetimin e vendimit, Veliaj flet pikërisht për mungesë informimi, mungesë koordinimi institucional, refuzim të urdhrave të drejtpërdrejtë dhe veprime që kanë cenuar zinxhirin normal të përgjegjësisë në Bashki.
Me këtë vendim, Veliaj nuk shkarkon thjesht një nënkryetare. Ai tenton të rimarrë kontrollin politik dhe administrativ mbi Bashkinë e Tiranës, duke i hapur rrugë zëvendësimit të Ristanit me një emër më të afërt me të.
Nuk duket rastësi as momenti i zgjedhur. Ndërsa Rama mbledh qeverinë dhe drejtuesit politikë për të riorganizuar pushtetin e tij, Veliaj, nga burgu, lëviz në territorin që ende e konsideron të vetin: Bashkinë e Tiranës.
Në të njëjtën orë, secili merret me vartësit e tij. Rama me ministrat dhe drejtuesit politikë, Veliaj me nënkryetaren që, sipas tij, doli nga kontrolli i mandatit të tij. Është një përplasje në distancë, por me mesazh të qartë.
Lufta mes Ramës dhe Veliajt nuk është më as e fshehtë, as e paqartë. Dikur shef dhe i preferuar, sot janë dy qendra pushteti që i kujtojnë njëra-tjetrës se ndarja nuk është më thjesht personale. Është politike, institucionale dhe tashmë po luhet hapur edhe mbi administrimin e Bashkisë më të rëndësishme në vend.






















