
Pas Këshillit të Lartë Gjyqësor, i cili vendosi rritjen e pagës referuese për gjyqtarët, edhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka ndërmarrë të njëjtin hap për sistemin e prokurorisë.
Me 11 vota pro dhe asnjë kundër, KLP miratoi pagën e re referuese në masën 222 425 lekë. Kësaj shume i shtohen edhe 14 mijë lekë për nivelin e kualifikimit, duke e çuar bazën totale të përllogaritjes në 236 425 lekë.
Vendimi i KLP-së prodhon efekte të drejtpërdrejta për anëtarët e Këshillit, pasi paga e tyre përllogaritet mbi bazën e pagës së prokurorit. Në të njëjtën kohë, Këshilli i bëri thirrje Prokurorisë së Përgjithshme që të aplikojë të njëjtën pagë referuese edhe për prokurorët.
Në praktikë, vendimi i KLP-së përcakton edhe bazën mbi të cilën do të llogariten pagat e prokurorëve, ndërsa nga Prokuroria e Përgjithshme pritet miratimi formal për zbatimin e saj.
Anëtari i KLP-së, Erind Mërkuri, argumentoi se ndërhyrja është bërë e domosdoshme për shkak të boshllëkut ligjor të krijuar pas një vendimi të Gjykatës Kushtetuese.
Sipas tij, Kushtetuesja kishte shfuqizuar normën përkatëse, duke i lënë kohë Kuvendit për plotësimin e boshllëkut ligjor. Megjithatë, situata nuk është zgjidhur, duke e bërë të nevojshëm zbatimin e drejtpërdrejtë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese.
“Vendimet e GJK janë përfundimtare dhe të detyrueshme për zbatim. Jemi të detyruar nga Gjykata Kushtetuese dhe për të mbajtur sistemin në këmbë, pasi paga është baza e funksionimit”, deklaroi Mërkuri.
Paga referuese rritet me 65 600 lekë, ndërsa duke përfshirë edhe shtesën prej 14 mijë lekësh për grupin e diplomës, ndryshimi pritet të sjellë një rritje të ndjeshme të pagave të magjistratëve.
Për shkak të formulave të parashikuara në ligj, efekti financiar bëhet edhe më i madh për nivelet e larta të sistemit të drejtësisë dhe strukturat e posaçme, ku rritja e pagës mund të arrijë në mbi 3 mijë euro.






















