
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka ngritur pikëpyetje mbi transferimin e biznesmenit Ergys Agasi në paraburgimin e Bradasheshit, duke pretenduar se transferimi mund të ketë pasur një marrëveshje. Ai vijoi më tej duke pretenduar se Agasi duhej të ishte dërguar në kushte më të larta sigurie dhe izolimi, ndërsa e përshkroi paraburgimin e Bradasheshit si një institucion mbi të cilin, sipas tij, kanë ndikim persona të lidhur me Partinë Socialiste.
“Dhe e treta, tani e marrin dhe e çojnë në burgun e Bradasheshit. Hajde tani, më thoni ju mua, se a është e negociuar kjo apo jo? E çojnë në burgun që kontrollohet totalisht nga Taulant Balla, Sara Mila dhe karteli Çela. Në vend se të shkojë në qelitë e sigurisë më të lartë, të izolimit më të thellë, shkon tek Taulant Balla dhe Sara Mila. Ata e kanë burgun si repart të tyre, si seksion të PS-së”, u shpreh kreu i PD-së.
Megjithatë, në deklaratën e tij bie në sy shmangia e përmendjes së drejtpërdrejtë të emrit të Suel Çelës. Ndërsa përmend me emër dhe mbiemër Taulant Ballën dhe Sara Milën, kur vjen te grupi që ai e quan “karteli Çela”, kreu i opozitës ndalet vetëm te mbiemri, pa përmendur Suel Çelën.
Nëse kreu i PD-së disponon informacione që e çojnë në përfundimin se pas transferimit të Agasit qëndrojnë interesa apo ndikime kriminale, mbetet e paqartë përse emrat e disa prej personave artikulohen publikisht, ndërsa emri i Suel Çelës lihet jashtë deklaratës dhe zëvendësohet me formulimin e përgjithshëm “karteli Çela”.






















