Presidenti amerikan Donald Trump nuk do të marrë pjesë në ceremoninë përkujtimore në Ground Zero me rastin e 25-vjetorit të sulmeve terroriste të 11 Shtatorit.
Sipas burimeve të CNN, Trump pritet ta përkujtojë këtë ngjarje në Pentagon, një prej objektivave të sulmeve të 11 shtatorit 2001.
Fillimisht, presidenti amerikan kishte planifikuar të udhëtonte në New York për të marrë pjesë në ceremoninë në Ground Zero. Megjithatë, Trump dëshironte të mbante një fjalim, gjë që nuk lejohet në ceremoninë e New Yorkut.
Që prej vitit 2012, politikanët nuk lejohen të mbajnë fjalime gjatë ceremonisë në World Trade Center, në mënyrë që aktiviteti të ruajë karakterin e tij jopartiak dhe të fokusohet te viktimat dhe familjet e tyre.
Për këtë arsye, Trump pritet të jetë në Pentagon, ku do të ketë mundësi të mbajë një fjalim përkujtimor.
Ndërkohë, zëvendëspresidenti JD Vance pritet të përfaqësojë administratën amerikane në ceremoninë në World Trade Center.
Shtëpia e Bardhë ka deklaruar se Trump do të nderojë viktimat e sulmeve, familjet e tyre dhe punonjësit e emergjencave që rrezikuan jetën për të shpëtuar të tjerët.
Trump ka marrë pjesë edhe në ceremonitë përkujtimore të 11 Shtatorit gjatë viteve të mëparshme. Vizita e tij në Pentagon këtë vit pritet të lidhet gjithashtu me udhëtimin e planifikuar drejt Irlandës më 12 shtator.






















