
“Mira Murati dëshiron që ju të keni një mundësi për të zgjedhur”. Me këto fjalë revista prestigjioze TIME nis artikullin kushtuar shqiptares së njohur, të cilën e ka përfshirë në listën e 100 personave më me ndikim në zhvillimin dhe drejtimin e Inteligjencës Artificiale në botë.
Vlerësimi e rendit ish-drejtuesen e teknologjisë në OpenAI mes figurave kryesore të industrisë globale të AI-së. Murati është kthyer vitet e fundit në një prej emrave me origjinë shqiptare më të njohur në sektorin ndërkombëtar të teknologjisë.
Ajo shfaqet gjithashtu në kopertinën globale të “TIME100 AI 2026”, përkrah disa prej emrave më të njohur të teknologjisë, mes tyre Sam Altman, Elon Musk, Dario Amodei, Jeff Bezos, Larry Ellison, Ilya Sutskever, Fei-Fei Li, Arvind Krishna dhe Eddie Wu.
TIME i ka ndarë 100 personalitetet e përzgjedhura në katër kategori: Liderë, Inovatorë, Formësues dhe Mendimtarë. Përzgjedhja nuk kufizohet vetëm te industria e teknologjisë, por përfshin drejtues kompanish, studiues, sipërmarrës, politikëbërës, artistë dhe përfaqësues të organizatave ndërkombëtare.
Kryeredaktori i TIME, Sam Jacobs, tha se lista e këtij viti pasqyron një industri të Inteligjencës Artificiale gjithnjë e më “shpërthyese, por edhe përçarëse”, ku ndërthuren interesa teknologjike, ekonomike, politike dhe krijuese.
Në listë është përfshirë gjithashtu një numër i konsiderueshëm figurash nga industria kineze e teknologjisë dhe AI-së, duke reflektuar konkurrencën në rritje mes Kinës dhe Shteteve të Bashkuara për zhvillimin dhe dominimin e teknologjive të Inteligjencës Artificiale.






















