
Bekim Sejdiu është emri i propozuar për postin e Presidentit të Kosovës, pas marrëveshjes së arritur mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës. Ish-gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese vjen me një karrierë të gjatë në drejtësi, diplomaci dhe akademi.
I lindur në vitin 1974, Sejdiu ka mbajtur ndër vite disa funksione të rëndësishme shtetërore, ndërsa në prill të vitit 2015 u emërua gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës. Ai qëndroi në këtë institucion deri në vitin 2021, kur dha dorëheqjen për të vazhduar karrierën e tij akademike në Universitetin e Prishtinës.
Përpara angazhimit në Gjykatën Kushtetuese, Sejdiu kishte ndërtuar një pjesë të rëndësishme të karrierës së tij në diplomaci. Ai i përket brezit të parë të ambasadorëve të Republikës së Kosovës dhe shërbeu si ambasador në Turqi nga viti 2008 deri në vitin 2012.
Më pas, nga viti 2012 deri në vitin 2014, ai mbajti detyrën e Konsullit të Përgjithshëm të Kosovës në Nju-Jork. Para emërimit si ambasador, Sejdiu kishte shërbyer edhe si këshilltar politik në kabinetin e ministrit të parë të Punëve të Jashtme të Kosovës.
Krahas diplomacisë dhe drejtësisë, Sejdiu ka një profil të konsoliduar akademik. Që nga viti 2002 ai është angazhuar në Departamentin e së Drejtës Ndërkombëtare në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës.
Studimet për drejtësi i përfundoi në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës në vitin 1999. Më pas kreu dy magjistratura, një në fushën e demokracisë dhe të drejtave të njeriut në Universitetin e Sarajevës dhe Universitetin e Bolonjës, si dhe një tjetër në marrëdhënie ndërkombëtare në Universitetin Bilkent.
Sejdiu ka përfunduar gjithashtu doktoraturën në fushën e studimeve ndërkombëtare dhe diplomatike në Fakultetin e Qeverisë dhe Studimeve Evropiane të Nova Univerza në Slloveni.
Gjatë veprimtarisë së tij publike, ai është angazhuar edhe në promovimin e sundimit të ligjit, të drejtave të njeriut, tolerancës shoqërore dhe barazisë gjinore. Sejdiu ka qenë pjesë e grupit themelues dhe anëtar i Këshillit të Hulumtuesve Profesionalë të Institutit Kosovar për Hulumtime dhe Zhvillime të Politikave (KIPRED) gjatë viteve 2002-2008, ndërsa më herët ka mbajtur postin e drejtorit të programit në Fondacionin Kosovar për Shoqëri Civile.
Në karrierën e tij ai është nderuar edhe me disa dekorata dhe mirënjohje, mes të cilave Dekorata e Asamblesë së Shtetit të Nju-Jorkut, Çelësi i qytetit Worcester në Massachusetts dhe një medalje nga ministri i Punëve të Jashtme të Turqisë.
Sejdiu ka zhvilluar gjithashtu vizita studimore në universitete të ndryshme në Evropë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe është autor i një numri punimesh akademike të botuara në revista shkencore vendase dhe ndërkombëtare.
Emri i tij u zyrtarizua këtë të hënë si kandidati për të cilin janë dakorduar Albin Kurti dhe Lumir Abdixhiku për postin e Presidentit të Kosovës. Sejdiu ka konfirmuar se e ka pranuar propozimin, duke deklaruar se vihet në shërbim të qytetarëve dhe shtetit të Kosovës.






















