Rajoni 26 August 2026, 18:45 Nga VNA

Plani “Leptiri”: Dosja e Prokurorisë së Kosovës zbulon dokumentin serb për komprometimin dhe rekrutimin e Albin Kurtit

Ndaje në Whatsapp
Plani “Leptiri”: Dosja e Prokurorisë së Kosovës

Aktakuza e Prokurorisë Speciale të Kosovës ndaj Fatmir Shehollit nxjerr në dritë një nga pjesët më të ndjeshme të dosjes: një dokument të quajtur “Leptiri”, që sipas organit të akuzës është përpiluar nga struktura të Sigurimit Shtetëror të Serbisë dhe kishte si objektiv komprometimin dhe rekrutimin e Albin Kurtit, në kohën kur ai mbahej në burgjet serbe.

Në aktakuzën e datës 24 gusht 2026, Prokuroria Speciale e Kosovës thotë se gjatë analizimit të telefonit celular të sekuestruar të Fatmir Shehollit është gjetur një dokument i emërtuar “Leptiri”. Sipas dosjes, ky dokument ishte pjesë e materialeve që lidhen me strukturat serbe të sigurisë.

“Nga analiza e dëshmisë Z#4.1, përkatësisht dokumentit të emërtuar ‘Leptiri’, të gjetur në telefonin e të pandehurit Fatmir Sheholli, rezulton se bëhet fjalë për një dokument i përpiluar nga struktura të Sigurimit Shtetëror të Serbisë (RDB) në vitin 2001, i cili përshkruan një plan operativ për komprometimin dhe rekrutimin e Albin Kurtit gjatë kohës së vuajtjes së dënimit në burgjet e Serbisë”, thuhet në aktakuzë.

Sipas Prokurorisë, plani parashikonte përdorimin e një burimi operativ me nofkën “Leptiri”, për të siguruar materiale komprometuese ndaj Kurtit.

Në dosje thuhet se qëllimi i këtij plani ishte ushtrimi i presionit ndaj tij për bashkëpunim me strukturat serbe.

“Sipas përmbajtjes së dokumentit, parashihej përdorimi i një burimi operativ me nofkën ‘Leptiri’ për sigurimin e materialeve komprometuese, me qëllim të ushtrimit të presionit ndaj tij për bashkëpunim me RDB-në”, citohet në aktakuzë.

Pjesa më e rëndë e kësaj dosjeje lidhet me pretendimin e Prokurorisë se dokumenti nuk ishte thjesht i ruajtur në telefonin e Shehollit, por edhe ishte shpërndarë prej tij te persona të tjerë. Sipas aktakuzës, nga analizimi i komunikimeve të nxjerra nga telefoni rezulton se Sheholli e kishte përcjellë dokumentin te disa persona dhe kishte kërkuar edhe përkthimin e tij nga serbishtja në shqip.

“Nga analizimi i komunikimeve të nxjerra nga telefoni i të pandehurit rezulton se ai e ka përcjellë këtë dokument te persona të ndryshëm, si dhe ka kërkuar përkthimin e tij nga gjuha serbe në gjuhën shqipe”, thuhet më tej në dosje.

Prokuroria e lidh këtë veprim me pretendimet për kontaktet dhe bashkëpunimin e Shehollit me persona dhe struktura të ndërlidhura me shërbimet serbe të sigurisë.

“Këto veprime, të vlerësuara së bashku me komunikimet dhe materialet e tjera të evidentuara në telefonin e të pandehurit, janë relevante për të dëshmuar kontaktet, lidhjet dhe bashkëpunimin e tij me persona dhe struktura të ndërlidhura me shërbimet e sigurisë serbe, si dhe rolin e tij në përcjelljen dhe shpërndarjen e materialeve me origjinë nga këto struktura”, vlerëson Prokuroria.

Në aktakuzë përfshihet edhe një pjesë nga dëshmia e vetë Shehollit, ku ai pyetet për prejardhjen e dokumentit “Leptiri”. Sipas dosjes, Sheholli ka deklaruar se dokumentin ia kishte dërguar Bojan Dimiç.

“Këtë dokument ma ka dërgu Bojan Dimiç në telefonin tim”, citohet të ketë deklaruar Sheholli.

I pyetur nga prokurori se kujt ia kishte shpërndarë dokumentin, Sheholli, sipas aktakuzës, ka përmendur disa emra.

“Këtë ia kam dërgu Milazim Gashit, një mikut tim i cili është në SHISH të Shqipërisë me emrin Dritan Gjoni – Shef i SHISH-it në Durrës, ja kam dërgu Blerim Canaj dhe një personi me emrin Bashkim Pushkolli por nuk jam i sigurt a ia kam dërgu”, thuhet në aktakuzë, duke cituar deklarimin e të pandehurit.

Dokumenti “Leptiri” përmendet nga Prokuroria si një nga provat që, sipas saj, tregon rolin e Shehollit në pranimin dhe shpërndarjen e materialeve të ardhura nga struktura serbe.

E rëndësishme është se në këtë pjesë të aktakuzës, Albin Kurti nuk del si i akuzuar apo i dyshuar, por si objektiv i një plani të pretenduar të strukturave serbe për komprometim dhe rekrutim gjatë periudhës kur ai mbahej në burgjet e Serbisë.

Aktakuza ndaj Fatmir Shehollit përfshin dy vepra penale kryesore: “Spiunazh” dhe “Shantazh”. Për veprën e parë, Prokuroria pretendon se ai ka vepruar si person i rekrutuar nga shërbimi informativ serb BIA, duke mbledhur, siguruar dhe përcjellë të dhëna e materiale që, sipas akuzës, dëmtonin interesat shtetërore të Kosovës.

Video

28 tonë domate dhe mijëra njerëz nga e gjithë bota! Rrugët e Buñol-it në Spanjë u kthyen në një lumë të kuq gjatë “La Tomatina”, festivalit të famshëm ku pjesëmarrësit zhvillojnë një betejë gjigante me domate. Festa që nisi nga një sherr spontan në vitin 1945 është sot një atraksion ndërkombëtar që sjell turistë nga e gjithë bota. Historia e plotë në linkun në koment⬇️

Një katastrofë e rëndë ka goditur Nepalin pranë kufirit me Tibetin, ku një masë e fuqishme uji, balte dhe shkëmbinjsh përfshiu disa zona. Autoritetet nepaleze njoftuan se deri mbrëmjen e së mërkurës janë gjetur trupat e 157 viktimave, ndërsa qindra persona të tjerë rezultojnë të zhdukur. Mes të zhdukurve raportohet se janë edhe qindra turistë, shumë prej tyre shtetas të huaj. Përmbytjet kanë shkatërruar shtëpi, automjete, rrugë, ura dhe infrastrukturë tjetër në zonat e prekura. Pamjet nga vendngjarja tregojnë fuqinë e rrjedhës, e cila ka marrë përpara gjithçka që ka gjetur në rrugën e saj. Të dhënat paraprake sugjerojnë se katastrofa mund të lidhet me shembjen e një mase akulli dhe shkëmbinjsh nga një akullnajë, ndërsa autoritetet po hetojnë shkakun e saktë.

Ergys Agasi del nga ambientet e Policisë, niset drejt Bllokut të Sigurisë.

Në kuadër të operacionit të koduar “The Wanted”, për ndalimin e Ergys Agasit, kontrollet janë shtrirë edhe në zonën e Liqenit të Thatë. Forca të policisë po kryejnë verifikime në terren, ndërsa aksioni vijon në disa pika. Policia pritet të dalë me detaje zyrtare për ecurinë e operacionit.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme