Rajoni 23 August 2026, 19:45 Nga VNA

AAK vendos thasë me qymyr para Qeverisë së Kosovës, mesazhi për Kurtin: Nga terri energjetik në terrin politik

Ndaje në Whatsapp
AAK vendos thasë me qymyr para Qeverisë së Kosovës, mesazhi

Deputetë dhe anëtarë të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) zhvilluan këtë të diel një aksion simbolik para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, ku vendosën disa thasë me qymyr në hyrje të institucionit.

Aksioni u zhvillua në shenjë proteste ndaj bllokadës institucionale dhe politikave të qeverisë në detyrë të kryeministrit Albin Kurti në sektorin e energjisë.

Pjesëmarrësit vendosën gjithashtu një pankartë me mbishkrimin: “Kurti dhe LVV, nga terri energjetik, në terrin politik”.

AAK kritikoi faktin që, sipas saj, Kosova vazhdon të blejë energji elektrike nga Serbia dhe vende të tjera, pavarësisht rezervave të mëdha të qymyrit që ka vendi.

Deputeti i AAK-së, Burim Ramadani, deklaroi se qymyri i vendosur para Qeverisë simbolizon potencialin energjetik të Kosovës, i cili, sipas tij, nuk po shfrytëzohet.

“Mesazhi dhe simbolika e qymyrit të Kosovës është se Kosova edhe më tutje po fle mbi qymyr, por rryma nuk prodhohet këtu”, deklaroi Ramadani.

Ai tha se një prej pikave kryesore të ofertës gjashtëpikëshe të AAK-së është ndërtimi i një termocentrali të ri në Kosovë. Ramadani pretendoi gjithashtu se gjatë viteve të fundit janë shpenzuar rreth 1 miliard euro për blerjen e energjisë elektrike nga Serbia dhe vende të tjera.

Përfaqësuesi i AAK-së ngriti gjithashtu shqetësimin për kushtet dhe sigurinë e punëtorëve që punojnë në nxjerrjen e qymyrit, duke kërkuar përgjegjësi politike dhe menaxheriale për rastet kur punëtorët humbin jetën.

Aksioni vjen në një periudhë tensionesh politike dhe bllokade institucionale në Kosovë. Ndërkohë, javën e kaluar Kosova nënshkroi një marrëveshje për shitjen e qymyrit në Maqedoninë e Veriut, një veprim që është kritikuar nga partitë ish-opozitare.

Video

Një zjarr ka përfshirë mbrëmjen e sotme zonën pranë tunelit në Ujin e Ftohtë, në Vlorë. Flakët janë përhapur në një sipërfaqe me pisha dhe bredha, ndërsa në afërsi ndodhen disa hotele dhe biznese. Forcat zjarrfikëse po vijojnë ndërhyrjen për vënien nën kontroll dhe shuarjen e zjarrit. Situata paraqitet e vështirë për shkak të bimësisë së dendur, terrenit të vështirë dhe rrezikut të përhapjes së flakëve.

Një robot humanoid kinez raportohet se ka përshkuar 100 metra për vetëm 9.39 sekonda, më shpejt se rekordi botëror prej 9.58 sekondash i Usain Bolt, i vendosur në vitin 2009. Megjithatë, rezultati i robotit nuk konsiderohet rekord botëror në atletikë, pasi testi nuk është zhvilluar në kushtet e një gare zyrtare.

Një operacion shpëtimi është zhvilluar në Aladağlar, në provincën Niğde të Turqisë, ku një alpinist britanik 26-vjeçar mbeti i bllokuar në një zonë të thepisur shkëmbore. Sipas mediave turke, Daniel Tohomas Martin u rrëzua gjatë ngjitjes në zonën Lahit Kaya dhe theu krahun. Terreni i vështirë e bëri të pamundur ndërhyrjen nga toka, ndaj u kërkua ndihma e Forcave Ajrore turke. Një helikopter ushtarak u nis nga Konya dhe arriti të evakuonte britanikun nga shkëmbinjtë, përpara se ai të transportohej për ndihmë mjekësore.

Një stuhi e fuqishme goditi aeroportin e Forlìt në Itali, duke shkaktuar situatë të rrezikshme në pistë. Erërat e forta ngritën nga toka tre avionë të vegjël dhe i spostuar disa metra. Ndërkohë, një avion tjetër u devijua nga drejtimi gjatë uljes për shkak të erës së fuqishme. Për arsye sigurie, aeroporti u mbyll për rreth një orë, derisa stuhia u qetësua. Moti i keq përfshiu edhe qytetin e Forlìt, ku reshjet e dendura të shiut përmbytën disa rrugë.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme