Vetëm 13 të burgosur shqiptarë janë transferuar nga Britania e Madhe drejt Shqipërisë në kuadër të një marrëveshjeje që synonte riatdhesimin e 200 personave të dënuar për krime të rënda.
Sipas një raportimi të gazetës britanike “The Sun”, marrëveshja e arritur në vitin 2023 parashikonte që Britania të financonte me rreth 8 milionë paund, gjatë dy viteve të para, sistemin shqiptar të burgjeve për të mundësuar transferimin e të dënuarve. Megjithatë, deri tani janë transferuar vetëm 13 persona.
“The Sun” raporton se rreth 940 shtetas shqiptarë ndodhen aktualisht në burgjet britanike. Shqiptarët kanë përbërë rreth 9-12% të të burgosurve të huaj në Britani gjatë shtatë viteve të fundit.
Mes personave që presin transferimin drejt Shqipërisë janë, sipas gazetës, edhe 15 të dënuar për vrasje që vuajnë dënime me burgim të përjetshëm.
Një prej emrave të përmendur është Koci Selamaj, i dënuar për vrasjen e mësueses 28-vjeçare Sabina Nessa në Londër në vitin 2021. Selamaj është dënuar me burgim të përjetshëm, me një minimum prej 36 vitesh për t’u vuajtur. Gazeta raporton gjithashtu se në maj të vitit 2023 ai sulmoi dy oficerë burgu.
Sipas “The Sun”, një prej arsyeve të vonesave në zbatimin e marrëveshjes lidhet me procedurat në Shqipëri, pasi gjykatat shqiptare duhet të njohin dënimet e dhëna nga drejtësia britanike përpara transferimit të të burgosurve.
Transferimi i tyre synon gjithashtu uljen e kostove për sistemin britanik të burgjeve. Mbajtja e një të burgosuri në Britani kushton mesatarisht rreth 56 mijë paund në vit, sipas shifrave të cituara nga gazeta.
Raportimi vjen në një kohë kur autoritetet britanike po përpiqen të ulin numrin e shtetasve të huaj në burgjet e vendit. Qeveria britanike thekson se transferimi i të burgosurve është vetëm një nga mënyrat e përdorura për largimin e shtetasve të huaj të dënuar.
Sipas të dhënave të cituara nga “The Sun”, që prej korrikut 2024 janë larguar nga Britania më shumë se 11,700 të dënuar të huaj.






















