Elvis Kosova, 40 vjeç, është arrestuar në flagrancë në Palasë, pasi dyshohet se ka dhunuar dhe kanosur bashkëshorten e tij. Gjatë ndërhyrjes së Policisë në vilën ku ndodhej çifti është gjetur një armë zjarri pistoletë, ndërsa kontrollet e mëtejshme në banesën e tij në Tiranë kanë çuar në sekuestrimin e municionit luftarak dhe dy krehrave të tjerë.
Policia njofton se rreth orës 13:40 është marrë informacion për një konflikt familjar në një vilë të një kompleksi në zonën e Palasës.
Në vendngjarje kanë shkuar menjëherë shërbimet e Patrullës së Zonës, të cilat kanë konstatuar një situatë të përshkallëzuar. Për neutralizimin e saj janë angazhuar edhe forca shtesë të Stacionit të Policisë Dhërmi.
Gjatë ndërhyrjes në banesë, efektivët kanë gjetur një armë zjarri pistoletë. Sipas verifikimeve paraprake të Policisë, Elvis Kosova dyshohet se kishte dhunuar dhe kanosur bashkëshorten e tij.
Kontrollet kanë vijuar më pas edhe në banesën e 40-vjeçarit në Tiranë. Me mbështetjen e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale dy pako me municion luftarak dhe dy krehra me fishekë.
Në total, Policia njofton sekuestrimin e një pistolete, tre krehrave dhe municionit luftarak.
Sipas Policisë, ndërhyrja e menjëhershme e shërbimeve të Stacionit të Policisë Dhërmi bëri të mundur neutralizimin e situatës dhe parandaloi përshkallëzimin e konfliktit në një ngjarje potencialisht të rëndë kriminale.
Elvis Kosova është arrestuar në flagrancë dhe është shoqëruar nga Forca Kombëtare e Sigurisë, Njësia Fier, në ambientet e Policisë, ndërsa vijojnë veprimet procedurale për dokumentimin e plotë të rastit.






















