Policia e Sarandës ka gjetur thikën që dyshohet se është përdorur në vrasjen e 21-vjeçarit portugez Luis Miguel Varela Mendez, ngjarje e rëndë e ndodhur në Ksamil.
Gjetja e armës së krimit përbën një provë të rëndësishme për hetimin, ndërsa pritet që thika t’i nënshtrohet ekzaminimeve të mëtejshme kriminalistike dhe biologjike për të përcaktuar gjurmët që mund të çojnë në zbardhjen e plotë të dinamikës së ngjarjes.
21-vjeçari portugez mbeti i vrarë me thikë pas një konflikti të nisur në ambientet pranë klubit “Principote” në Ksamil. Sipas dëshmive të administruara gjatë hetimit, përplasja nisi mes disa turistëve të huaj dhe personave të lidhur me sigurinë e lokalit, ndërsa situata më pas përshkallëzoi në një konflikt fizik.
Në dëshminë e tij, Tourpal Khitaev, shtetas francez dhe mik i viktimës, ka deklaruar se ishte përfshirë në konflikt dhe se Luis Miguel Varela Mendez kishte ndërhyrë për të ndalur personat që po e godisnin. Khitaev ka thënë se nuk e ka parë momentin kur shoku i tij është goditur me thikë, por ka identifikuar përmes fotografive Sokrat Vatën si personin që, sipas tij, mbante thikën gjatë konfliktit.
Edhe një tjetër dëshmitar, Florian Cetina, ka rrëfyer për hetuesit se kishte parë viktimën me këmishën e mbuluar me gjak dhe se personat e përfshirë në konflikt ishin larguar me vrap drejt lokalit. Ai ka përshkruar gjithashtu personin që dyshohet se përdori thikën, duke e identifikuar përmes fotografive.
Nga ana tjetër, Sokrat Vata, i arrestuar si i dyshuar për vrasjen, ka mohuar se ka goditur ndonjë person me thikë. Në dëshminë e tij, ai pretendon se ndërhyri fillimisht për të ndarë personat që po konfliktoheshin dhe se gjatë përplasjes i mori thikën njërit prej të huajve, duke u dëmtuar edhe vetë në dorë.
Pas konfliktit, Vata u largua nga vendi i ngjarjes dhe u arrestua disa orë më vonë në bagazhin e një automjeti që drejtohej nga një shtetas turk. Hetuesit kanë marrë edhe dëshmi nga personat që dyshohet se e ndihmuan të largohej nga zona.






















