
Një tjetër dëshmi është bërë pjesë e dosjes hetimore për ngjarjen e rëndë të 18 gushtit në Ksamil, ku humbi jetën turisti portugez Luis Miguel Varela Mendez.
Para hetuesve ka dëshmuar Armando Zeneli, DJ në diskotekën “Principote”, i cili është marrë në pyetje si person që ka dijeni për rrethanat e ngjarjes.
Zeneli ka treguar se rreth orës 05:00 ka parë rojet e sigurisë duke vrapuar drejt hyrjes së klubit. Pak më vonë, në zonën e restorantit, disa prej kolegëve të tij, të shqetësuar, i kanë kërkuar të merrte Sokrat Vatën dhe ta dërgonte në spital, pasi kishte automjetin pranë.
Sipas dëshmisë, Vata ishte i gjakosur në trup dhe mbante dorën në pjesën e barkut. Ai i ka kërkuar disa herë Zenelit që ta transportonte me urgjencë drejt spitalit.
DJ ka njoftuar fillimisht menaxherin dhe më pas është nisur për të marrë automjetin. Teksa ka dalë jashtë lokalit, ai ka parë disa turistë duke i dhënë ndihmë një personi të shtrirë në tokë.
Më pas, Vata ka hipur në pjesën e pasme të makinës dhe të dy janë nisur drejt qendrës shëndetësore të Ksamilit. Megjithatë, gjatë rrugës, Vata i ka kërkuar Zenelit të vazhdonte lëvizjen dhe, pas rreth dy ose tre minutash, në një rrugë me kalldrëm, i ka kërkuar të ndalonte.
Sipas dëshmisë së Zenelit, Vata ka zbritur nga automjeti dhe është larguar me vrap, zbathur. DJ ka deklaruar gjithashtu se, disa metra larg makinës, e ka parë atë të hidhte me forcë një objekt në tokë.
I tronditur nga situata, Zeneli është larguar drejt banesës së tij. Më vonë, pasi është qetësuar, ai ka telefonuar policinë, duke u ofruar autoriteteve bashkëpunim për identifikimin dhe kapjen e Sokrat Vatës.
Dëshmia e DJ-së tashmë është pjesë e materialeve mbi të cilat hetuesit po punojnë për të rindërtuar dinamikën e plotë të ngjarjes që përfundoi me vdekjen e turistit portugez.





















