Një zjarr i përmasave të konsiderueshme vijon të përhapet në Malin e Çikës, duke iu afruar zonës turistike të Dhërmiut.
Flakët janë aktive prej dy ditësh dhe kanë përshkuar një sipërfaqe të konsiderueshme malore. Fillimisht zjarri u përhap në anën e malit në drejtim të Dukatit, ndërsa tashmë situata është përkeqësuar, pasi vatra ka kaluar edhe në krahun tjetër.
Flakët po avancojnë në drejtim të Dhërmiut dhe Palasës, dy prej zonave më të frekuentuara turistike të bregdetit të jugut, ndërsa zjarri vijon të përfshijë sipërfaqe të reja.
Përhapja e vatrës në të dyja anët e Malit të Çikës e bën situatën shqetësuese, ndërsa ende nuk ka të dhëna të sakta për sipërfaqen totale të prekur nga flakët.
Forcat në terren, të mbështetura edhe nga dy avionë “Air Tractor”, po punojnë për të frenuar avancimin e mëtejshëm të zjarrit.






















