Ishin pak minuta pas orës pesë të mëngjesit të 18 gushtit kur festa në “Principote” kishte përfunduar dhe Luis Miguel Varela Mendez, turisti portugez që pak më vonë do të mbetej i vrarë, doli nga klubi së bashku me miqtë e tij. Ata ishin shtatë persona, kishin festuar gjatë natës dhe, në vend që të largoheshin, zbritën drejt plazhit dhe u ulën pranë shezlloneve. Ajo që ndodhi më pas zgjati vetëm pak minuta, por dëshmitë e miqve të Luisit, të personave që ndodheshin në zonë dhe, mbi të gjitha, pamjet e kamerave të sigurisë i kanë dhënë Prokurorisë së Sarandës mundësinë të rindërtojë thuajse sekondë pas sekonde një konflikt që nisi me një debat dhe përfundoi me një të vrarë, një tjetër të plagosur dhe Sokrat Lipan alias Vata që disa orë më vonë do të gjendej i fshehur në bagazhin e një makine.
Kamerat e sigurisë e fiksojnë grupin në orën 05:14:24. Nga ambientet e “Principotes” dalin disa persona dhe qëndrojnë në rërë, pranë ambienteve të jashtme të “Paradise”. Mes tyre Prokuroria identifikon Ibrahim Lemoie, Sudae Akmahmat, Florian Cetina dhe Luis Mendes, i cili mbante një bluzë të bardhë me një shkrim të zi në pjesën e pasme. Në atë moment asgjë në pamje nuk paralajmëron atë që do të ndodhë në minutat pasuese.
Në orën 05:15:22, nga parkimi në anën jugore të “Principotes”, kamerat fiksojnë dy persona që afrohen drejt grupit: David Gjana alias Heuertevent dhe Sokrat Lipan alias Vata, ky i fundit i veshur me këmishë të bardhë.
Pikërisht mënyra se si nisi konflikti përshkruhet me disa ndryshime nga dëshmitarët, por rrëfimet e tyre takohen në një pikë: një debat për zhurmën, një ofendim nga nëna dhe më pas goditjet.
Tourpal Khitaev tregon se ndodhej pranë shezlloneve me Ibrahim ndërsa miqtë e tjerë qëndronin pak më larg. Pranë tyre ndodhej edhe një person i dehur që bërtiste. Sipas tij, në një moment dolën dy persona që punonin në lokal dhe u kërkuan të mos bërtisnin. Njëri prej tyre, të cilin Tourpal e përshkruan të veshur me të bardha, me pak mjekër dhe flokë gështenjë, e tërhoqi nga krahu. Në dorë, thotë ai, mbante një thikë.
Tourpal pretendon se pikërisht ky person e goditi me thikë në këmbë. Pasoi një shkëmbim ofendimesh, personi e kapi nga fyti dhe e goditi me kokë në fytyrë, ndërsa Tourpal iu përgjigj. Ai përfundoi mbi shezllone dhe, sipas dëshmisë së tij, goditjet vazhduan ndërsa në konflikt filluan të përfshiheshin edhe njerëz të tjerë.
Versioni se në konflikt ishte shfaqur një thikë mbështetet edhe nga miqtë e tjerë. Adib Ghanmi përshkruan një person me rroba të bardha dhe flokë të gjata, i cili fillimisht goditi Tourpalin me thikë në këmbë. Ibraim Leimoeiv flet gjithashtu për një person me flokë të gjata gështenjë, pak mjekër dhe veshje në tonalitete bezhë e të bardhë, të cilin e pa t’i drejtohej Tourpalit me thikë.
Në këtë pikë kamerat fillojnë ta tregojnë përshkallëzimin e konfliktit me sekonda.
Në orën 05:16:39, Sokrat Vata shihet duke u shtyrë me një person. Tetë sekonda më vonë, në 05:16:47, ai ndjek një tjetër person drejt parkimit. Në 05:16:54 Vata kthehet me vrap drejt Ibrahim Lemoie, i cili përplaset në shezllone dhe bie në tokë. Sipas përshkrimit të pamjeve në dosjen hetimore, Vata godet në drejtim të tij.
Është pikërisht këtu që në qendër të konfliktit hyn Luis Miguel.
Sipas Tourpalit, miku i tij portugez ndërhyri për të ndaluar personat që po e godisnin. Kamerat regjistrojnë në orën 05:17:14 Luisin që afrohet dhe shtyn me trup Sokrat Vatën. Vata bie në tokë, ngrihet dhe i afrohet menjëherë Luisit duke filluar ta godasë.
Vetëm gjashtë sekonda më vonë, në 05:17:20, situata është bërë edhe më e rëndë. Sipas analizës së kamerave nga Prokuroria, David Heuertevent dhe Sokrat Vata godasin së bashku Luis Mendes. Sudae Akhmat ndërhyn për të ndihmuar mikun e tij dhe godet Vatën. Përleshja tashmë është shpërndarë nëpër plazh dhe disa persona godasin njëri-tjetrin.
Është në këtë rrëmujë që, sipas dëshmive, Luis Miguel goditet me thikë.
Jo të gjithë dëshmitarët kanë parë vetë momentin e goditjes dhe ky është një dallim i rëndësishëm në dosje. Ibraim Leimoeiv thotë se pa personin me thikë t’i drejtohej Luisit, por për shkak të lëvizjeve dhe numrit të njerëzve nuk e pa çastin e goditjes. Tourpal gjithashtu deklaron se nuk e pa momentin kur shoku i tij u godit. Por Adib Ghanmi jep një dëshmi më të drejtpërdrejtë: sipas tij, personi që kishte goditur Tourpalin në këmbë goditi më pas Luis Miguelin me thikë në zemër.
Kur hetuesit u kanë paraqitur fotografinë e Sokrat Vatës, dëshmitarët e kanë identifikuar atë si personin që mbante thikën. Ghanmi e identifikon si personin që, sipas tij, goditi Luisin. Leimoeiv e identifikon si personin që mbante thikën dhe iu drejtua miqve të tij, ndërsa Tourpal e njeh si personin që e kishte goditur atë vetë me thikë në këmbë. Edhe Florian Cetina, pasi i është paraqitur fotografia, identifikon personin me flokë të gjata dhe veshje të bardhë si autorin e goditjes me thikë ndaj mikut të tij.
Ndërkohë Luis Miguel po përpiqej të largohej.
Pamjet tregojnë se mes orës 05:17:35 dhe 05:17:46, ndërsa Ibrahim Lemoie goditej me grushte nga Serxhi Selimi, Luisi largohet me nxitim nga Sokrat Vata dhe David Heuertevent dhe futet në det. Por as hyrja në ujë nuk e nxjerr nga dhuna. Në 05:17:53, kur afrohet përsëri nga ana jugore e plazhit, në zonën ku ndodheshin kamarierët, sipas dosjes goditet me grushte nga Serxhi Ademi dhe shtyhet sërish në det.
Në orën 05:18:04, Luis Miguel del nga uji.
Kamerat regjistrojnë tashmë një detaj vendimtar: bluza e tij e bardhë është e gjakosur.
Ai ecën drejt shezlloneve të “Paradise”, ndërsa miqtë kuptojnë se gjendja është shumë më e rëndë sesa një përleshje në plazh. Ibraim Leimoeiv tregon se u përpoq t’i jepte ndihmën e parë duke i vendosur një bluzë mbi plagë.
Ndërsa miqtë përpiqeshin të ndihmonin Luisin, kamerat regjistronin edhe largimin e personave të përfshirë në konflikt. Në 05:18:24 David Heuertevent shihet duke u larguar drejt ambienteve të brendshme të “Principotes”; Prokuroria shënon se pjesa e përparme e rrobave të tij ishte e gjakosur dhe se ai po fshihej. Në 05:20:28 largohet edhe Sokrat Lipan alias Vata. Edhe bluza e tij e bardhë, sipas pamjeve, ishte e gjakosur. Pas tij shihet kamarieri Igli Cekani duke e shoqëruar drejt lokalit.
Nga ky moment historia largohet nga kamerat e plazhit dhe vazhdon me dëshminë e DJ të “Principotes”, Armando Zeneli.
Zeneli tregon se kolegët e tij të panikosur i kërkuan të merrte Sokratin dhe ta çonte në spital, sepse kishte makinën afër. Pak më pas Sokrati iu afrua. Ishte, sipas përshkrimit të DJ, “i gjakosur kokë e këmbë”, mbante dorën poshtë bluzës në pjesën e barkut dhe i kërkonte me insistim ta çonte në spital.
Armando shkoi të merrte makinën. Kur doli jashtë, pa një grup turistësh që po përpiqeshin t’i jepnin ndihmë një personi të shtrirë në tokë. Mori makinën, ndërsa Sokrati hipi në sediljen e pasme, dhe u nisën në drejtim të qendrës shëndetësore të Ksamilit.
Por në qendrën shëndetësore nuk mbërritën.
Gjatë rrugës Sokrati i tha DJ të vazhdonte drejt. Pas dy ose tre minutash, kur ndodheshin në një rrugë me kalldrëm, i kërkoi të ndalonte. Zbriti nga makina dhe u largua zbathur. Armando Zeneli dëshmon se pak metra më tutje e pa Sokratin të hidhte diçka me forcë. Më pas DJ u kthye në banesë dhe, pasi ishte qetësuar, telefonoi policinë dhe ofroi ndihmë për kapjen e tij.
Por arratisja e Sokrat Vatës nuk kishte përfunduar. Tashmë atij i duhej një mënyrë tjetër për t’u larguar nga Ksamili.
Sipas dëshmisë së shtetasit turk Nuh Mahmutoglu, Sokrati e telefonoi dhe fillimisht i tha se kishte bërë aksident. Kur turku mbërriti tek ai, Vata i tregoi se ishte përfshirë në një zënkë. Më pas, sipas Mahmutoglu, vendosën që Sokrati të futej në bagazhin e makinës në mënyrë që e dashura e tij, Ezgi Parlak, të mos e shihte.
Makina u nis drejt Tiranës me Sokrat Vatën të fshehur në bagazh.
Ezgi Parlak jep një version sipas të cilit ajo nuk kishte dijeni se në bagazhin e makinës ndodhej një person. Ajo thotë se gjatë rrugës dikush telefonoi Nuhun dhe e paralajmëroi se përpara kishte polici. Vetëm atëherë, sipas saj, Nuhu i tregoi se Sokrati ishte fshehur në bagazh.
Por makina nuk arriti në Tiranë.
Policia e ndaloi dhe Sokrat Lipan alias Vata u gjet brenda bagazhit.
Kështu mbyllet, sipas materialeve të deritanishme të dosjes, një histori që kishte nisur vetëm disa orë më parë me shtatë miq që dilnin nga një klub pas një nate feste. Një debat për zhurmën u kthye në ofendime, më pas në grushte dhe në fund në një përleshje ku dëshmitarët thonë se u përdor një thikë. Tourpal mbeti i plagosur. Luis Miguel, sipas mikut të tij, hyri në konflikt për të ndaluar personat që po e godisnin. Kamerat e tregojnë duke shtyrë Vatën, më pas duke u goditur, duke u larguar drejt detit dhe, vetëm pak sekonda më vonë, duke dalë nga uji me bluzën e bardhë të mbuluar me gjak.
Ndërsa miqtë e tij përpiqeshin ta shpëtonin në plazh, nisi një tjetër histori: ajo e largimit të Sokrat Vatës. Nga “Principotes” në makinën e DJ, nga makina në një rrugë me kalldrëm, prej andej te kontakti me Nuh Mahmutoglu dhe më pas në bagazhin e makinës që u nis drejt Tiranës.
Një natë që nisi me festë në “Principote” përfundoi me Luis Miguel Varela Mendez të vdekur dhe me njeriun që dëshmitarët identifikojnë si personin me thikë, të gjetur disa orë më vonë të fshehur në një bagazh.






















