Dhjetë vite pas arrestimit të Joaquín “El Chapo” Guzmán, janë publikuar pamje të rralla dhe të pa publikuara më parë, të regjistruara në orët e para pas kapjes së ish-kreut të Kartelit të Sinaloas. Materialet hedhin dritë mbi momente të panjohura të 8 janarit 2016, kur një prej trafikantëve më famëkeq të drogës në botë ra sërish në duart e autoriteteve meksikane. Pamjet u publikuan nga gazetari Héctor de Mauleón në gazetën meksikane “El Universal”. Ato tregojnë Guzmán menjëherë pas arrestimit në Los Mochis, në shtetin Sinaloa, pasi ai dhe bashkëpunëtori i tij Jorge Iván Gastélum, i njohur si “El Cholo Iván”, kishin dalë nga sistemi i kanalizimeve në përpjekje për t’i shpëtuar operacionit të forcave të sigurisë.
Një nga detajet e reja të publikuara lidhet me mënyrën se si u lokalizuan të arratisurit. Sipas rindërtimit të “El Universal”, pasi dolën nga kanalizimet ata morën automjete për t’u larguar. Një prej viktimave të grabitjes së automjetit kishte ende telefonin dhe mundi të njoftonte autoritetet, duke ndihmuar policinë të identifikonte makinën me të cilën po largoheshin.
Pas kapjes, policët kishin frikë se njerëzit e Kartelit të Sinaloas mund të ndërhynin për ta liruar. Për këtë arsye, Guzmán dhe shoqëruesi i tij u dërguan përkohësisht në një motel pranë Los Mochis, ndërsa pritej mbërritja e përforcimeve. Në një nga videot, “El Chapo” shfaqet në dhomën nr. 51 duke larë fytyrën dhe flokët, ende me rrobat e bëra me baltë. Në një moment ai kërkon sapun dhe pyet policët nëse mund t’i irritojë sytë.
Një tjetër regjistrim e tregon të prangosur gjatë transportimit. Kur pyetet nga autoritetet nëse ishte keqtrajtuar apo goditur pas arrestimit, ai përgjigjet negativisht.
Por pjesa që ka tërhequr më shumë vëmendje është biseda e tij me autoritetet për atë që mund të ndodhte pas kapjes. Guzmán pretendon se u kishte dhënë udhëzime njerëzve të tij që të mos përplaseshin me policinë në rast se ai arrestohej.
“Nuk më leverdis që njerëzit tanë të luftojnë me qeverinë”, dëgjohet të thotë ai, ndërsa këmbëngul se nuk do të kishte “luftë” për ta liruar. Në të njëjtën bisedë, Guzmán pranon se ishte marrë që në moshë të re me kultivimin e marihuanës dhe trafikimin e drogës, ndërsa mohon se ishte marrë me vjedhje.
Pamjet marrin një domethënie të veçantë edhe për shkak të asaj që ndodhi vetëm tre vite më vonë. Në tetor 2019, anëtarë të Kartelit të Sinaloas zhvilluan një ofensivë të armatosur në Culiacán pas ndalimit të djalit të tij, Ovidio Guzmán López, duke detyruar autoritetet meksikane ta lironin atë. Kjo ngjarje bie në kontrast të fortë me deklaratat e bëra nga “El Chapo” pas arrestimit të tij.
Kapja e 8 janarit 2016 i dha fund arratisjes së Guzmán, i cili vetëm gjashtë muaj më parë ishte larguar nga burgu i sigurisë së lartë Altiplano përmes një tuneli.
Më 19 janar 2017, ai u ekstradua nga Meksika në Shtetet e Bashkuara për t’u përballur me akuzat federale që lidheshin me drejtimin e Kartelit të Sinaloas.Pamjet e publikuara tani, një dekadë pas arrestimit, ofrojnë një vështrim të rrallë mbi orët e para të “El Chapos” në duart e autoriteteve dhe mbi bisedat që zhvilloi me policët menjëherë pas përfundimit të arratisjes së tij.






















