Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka kundërshtuar zhvillimin e zgjedhjeve në Ukrainë gjatë luftës me Rusinë, duke argumentuar se një proces i tillë në kushtet aktuale do të përbënte një rrezik të madh për vendin.
“Besoj se në një luftë të tillë, zgjedhjet përbëjnë një rrezik shumë të madh. Zgjedhjet tani do të ishin një cunami për vendin që do ta ndante Ukrainën”, deklaroi Zelensky në komentet e bëra publike të dielën.
Debati është rikthyer në qendër të vëmendjes pas thirrjes së ish-ministrit të Mbrojtjes, Mykhailo Fedorov, i cili katër ditë më parë kërkoi që Ukraina të krijojë një mekanizëm ligjor, të sigurt dhe realist që do t’i mundësonte zhvillimin e zgjedhjeve edhe gjatë luftës.
“Demokracia nuk mund të mbahet peng nga Rusia”, deklaroi Fedorov, duke argumentuar se Ukraina po lufton pikërisht për të mbetur një shtet i lirë dhe evropian.
Thirrja e ish-ministrit është interpretuar si një nga sfidat më të forta politike ndaj Zelenskyt që prej nisjes së pushtimit rus. Megjithatë, Fedorov nuk ka deklaruar nëse synon të kandidojë vetë në një proces të ardhshëm zgjedhor.
Zelensky vendosi gjendjen e jashtëzakonshme ushtarake pas pushtimit rus në shkurt 2022, ndërsa kuadri aktual ligjor gjatë kohës së luftës nuk lejon zhvillimin e zgjedhjeve kombëtare.
Në një intervistë për BBC, të transmetuar të dielën, Fedorov tha gjithashtu se Zelensky ka “pyetje për t’u përgjigjur” lidhur me pretendimet për korrupsion brenda qeverisë, duke iu referuar një hetimi për pastrim parash të bërë publik javën e kaluar.
Fedorov theksoi se ukrainasit nuk duhet të kenë frikë të diskutojnë mundësinë e zgjedhjeve edhe gjatë luftës.
“Nëse nuk mund t’i ndaj idetë e mia dhe të jem i hapur me shoqërinë time, atëherë për çfarë po luftojmë?”, tha ai.
Zelensky e shkarkoi Fedorovin në mesin e korrikut, vendim që u lidh me një konflikt të pazgjidhur mes tij dhe komandantit të lartë ukrainas, Oleksandr Syrskyi. Fedorov kishte fituar reputacion gjatë luftës, veçanërisht për rolin e tij në forcimin e kapaciteteve ushtarake të Ukrainës dhe zgjerimin e përdorimit të dronëve në sulmet ndaj objektivave në territorin rus.
Largimi i tij shkaktoi protesta në disa qytete të Ukrainës, ku mijëra qytetarë shprehën kundërshtimin ndaj vendimit. Përplasja e fundit mbi zgjedhjet pritet të ushqejë më tej debatin e brendshëm politik në Ukrainë, në një kohë kur vendi vazhdon luftën dhe përballet me presion të madh ushtarak, ekonomik dhe politik.






















