
Një vendim i fundit i drejtësisë britanike mund të ndikojë në mënyrën se si autoritetet e Mbretërisë së Bashkuar trajtojnë shqiptarët e identifikuar si viktima të trafikimit. Gjykata ka vlerësuar se kthimi i disa prej tyre në Shqipëri mund t’i ekspozojë ndaj dhunës, ri-trafikimit dhe shfrytëzimit nga rrjetet kriminale.
Shqiptarët kanë qenë ndër kombësitë më të prekura nga dëbimet në Britani gjatë viteve të fundit. Paralelisht, është regjistruar një numër i lartë i shtetasve shqiptarë, veçanërisht meshkujve, të referuar pranë autoriteteve si viktima të mundshme të trafikimit.
Në vitin 2022, rreth 4,017 meshkuj shqiptarë iu referuan shërbimeve britanike për dyshime mbi trafikimin, krahas 502 femrave. Një vit më vonë u regjistruan 3,463 meshkuj dhe 588 femra.
Profili i viktimave gjithashtu ka ndryshuar. Ndërsa në të kaluarën rastet lidheshin kryesisht me gra të trafikuara për shfrytëzim seksual, tashmë një pjesë e konsiderueshme përfshin djem dhe të rinj të detyruar të përfshihen në trafik droge apo kultivimin e kanabisit.
Rasti i 21-vjeçarit shqiptar
Çështja që çoi në vendimin e gjykatës lidhet me një 21-vjeçar shqiptar, i cili ishte trafikuar që në moshën 16-vjeçare.
I riu kishte udhëtuar drejt Belgjikës me të atin, ku përfundoi nën kontrollin e një grupi kriminal shqiptar. Më pas, sipas çështjes gjyqësore, ai iu shit një tjetër rrjeti, i cili e dërgoi në Britani dhe e detyroi të punonte në kultivimin e kanabisit.
Pas arratisjes, autoritetet britanike e njohën zyrtarisht si viktimë të trafikimit.
Rasti ka bërë që gjykata të përcaktojë udhëzime të reja për mënyrën se si duhet të vlerësohen kushtet në Shqipëri përpara se Home Office të vendosë për kthimin e viktimave meshkuj të trafikimit.
Rreziku i ri-trafikimit
Një prej shqetësimeve kryesore të evidentuara është mundësia që viktimat, pasi të kthehen në Shqipëri, të bien sërish në duart e rrjeteve kriminale. Gjykata ka ngritur gjithashtu shqetësime lidhur me mungesën e strehimoreve të posaçme për burrat e rritur që kanë qenë viktima të trafikimit.
Në vlerësim përmenden edhe kërcënimet, shantazhet dhe dhuna fizike që grupet kriminale mund të përdorin për të ruajtur kontrollin mbi viktimat. Në disa raste që përfshijnë të mitur, janë raportuar edhe forma shantazhi përmes materialeve të abuzimit seksual apo kërcënimeve ndaj familjarëve në Shqipëri.
Vendimi nuk nënkupton ndalimin automatik të deportimit të shqiptarëve të identifikuar si viktima trafikimi. Megjithatë, ai vendos një standard të ri për shqyrtimin e këtyre rasteve.
Home Office duhet të marrë në konsideratë jo vetëm faktin nëse një person është njohur si viktimë trafikimi, por edhe rrezikun individual dhe konkret me të cilin mund të përballet nëse kthehet në Shqipëri.






















