Kryeministri i Kanadasë, Mark Carney, ka njoftuar pezullimin e negociatave tregtare me Shtetet e Bashkuara, duke argumentuar se përparimi i arritur në bisedime nuk ishte i mjaftueshëm për të përmbushur objektivat e Otavës.
Carney tha se Kanadaja kishte punuar për të arritur një marrëveshje të drejtë, e cila do t’i garantonte vendit qasje sa më të mirë në tregun amerikan dhe më shumë siguri për bizneset dhe punëtorët kanadezë.
“Bëmë përparim të rëndësishëm drejt përmirësimit të pozitës së Kanadasë, duke pasur marrëveshjen më të mirë në botë me SHBA-në. Megjithatë, ky përparim nuk ka qenë i mjaftueshëm për të përmbushur objektivat tona për kanadezët. Si rezultat, këtë mbrëmje vendosa të pezulloj negociatat tregtare me SHBA-në dhe udhëzova negociatorët e Kanadasë të kthehen në Otava”, deklaroi Carney.
Sipas kryeministrit kanadez, negociatorët e vendit kishin punuar “shumë dhe me mirëbesim” për të mbrojtur interesat e Kanadasë deri në momentet e fundit të bisedimeve. Megjithatë, ai kritikoi ndryshimet e fundit të propozuara nga pala amerikane.
“Ndryshimet e minutës së fundit në kushtet e propozuara nga SHBA-ja ishin të padrejta, ekonomikisht të pafavorshme dhe vunë në pikëpyetje besueshmërinë e çdo marrëveshjeje”, tha Carney.
Përplasja mes dy vendeve vjen në prag të hyrjes në fuqi të tarifave të reja amerikane prej 50 për qind ndaj mallrave kanadeze, me vlerë rreth 28 miliardë dollarë.
Carney paralajmëroi se Kanadaja do t’u përgjigjet masave amerikane me tarifa të barasvlershme, në mënyrë që të mbrojë bizneset dhe punëtorët e saj.
“Kanadaja do t’u përgjigjet këtyre tarifave dollarë për dollarë për të mbrojtur punëtorët dhe bizneset tona”, u shpreh ai.
Negociatat në Ëashington rifilluan të enjten në mëngjes, pak para afatit të mesnatës, kur pritej të hynin në fuqi tarifat prej 50 për qind ndaj mallrave kanadeze me vlerë rreth 30 miliardë dollarë kanadezë, ose rreth 22 miliardë dollarë amerikanë.
Deri në orët e fundit, të dyja palët kishin deklaruar se ishin pranë një marrëveshjeje. Presidenti amerikan Donald Trump kishte thënë të mërkurën se ishte arritur një marrëveshje “shumë e drejtë”, por negociatat përfunduan pa një dakordësi përfundimtare.






















