Kryeministrja italiane Giorgia Meloni ka folur për marrëdhënien e saj me Presidentin amerikan Donald Trump, duke pranuar se bashkëpunimi mes tyre ka rezultuar më i ndërlikuar nga sa kishte parashikuar.
Në një intervistë për The New York Times, Meloni deklaroi se, pavarësisht afrimit mes tyre në disa çështje politike, përfshirë emigracionin, gjatë muajve të fundit janë shfaqur edhe dallime të rëndësishme.
“Është e qartë se me Donald Trump besoja se gjërat do të ishin më të lehta. Gjërat kanë dalë ndryshe”, u shpreh kryeministrja italiane.
Sipas Melonit, ajo dhe Trump nuk kanë komunikuar prej disa javësh. Një nga pikat e tensionit kanë qenë kritikat e Presidentit amerikan ndaj Papa Leonit XIV, të cilat kryeministrja italiane i konsideroi një “vijë të kuqe”.
Megjithatë, Meloni theksoi se politika e jashtme italiane nuk mund të përcaktohet nga raportet personale mes liderëve.
“Unë vazhdoj të besoj se uniteti i Perëndimit është diçka shumë e rëndësishme. Nuk e vendos strategjinë italiane në bazë të marrëdhënieve të mia personale”, deklaroi ajo.
E pyetur nëse do të komunikojë sërish me Trump pas pushimeve verore, Meloni u përgjigj shkurt: “Do ta shohim.”
“Italia nuk duhet të jetë e nënshtruar”
Në të njëjtën intervistë, kryeministrja hodhi poshtë idenë e një Italie që luan një rol dytësor në arenën ndërkombëtare, duke thënë se synon një “revolucion krenarie” për vendin.
“Nuk më pëlqen ideja e një Italie të nënshtruar, një Italie që e sheh veten më të ulët se të tjerat”, tha Meloni.
Sipas saj, Italia duhet të fitojë më shumë peshë në vendimmarrjen ndërkombëtare dhe të jetë mes vendeve që përcaktojnë drejtimin e politikës europiane dhe perëndimore.
Meloni përdori gjithashtu një formulim të fortë për raportin me dy fuqitë kryesore të Bashkimit Europian, duke deklaruar se Italia duhet të ndalojë së vepruari si “rrota rezervë e Francës dhe Gjermanisë” dhe të ulet në tryezën ku merren vendimet.
Kryeministrja vlerësoi stabilitetin politik të Italisë, por theksoi se ai nuk duhet konsideruar një objektiv përfundimtar.
“Stabiliteti nuk është një pikë mbërritjeje, por një pikë nisjeje”, u shpreh ajo.
Duke reflektuar mbi rrugëtimin e saj politik deri në Palazzo Chigi, Meloni tha se beson se një nga arsyet që e solli në krye të qeverisë ishte “guximi për të qëndruar në anën e pakëndshme të historisë” dhe për të zgjedhur të ishte “kundër rrymës”.






















