Autoritetet ruse kanë lëshuar një fletëarrest ndaj Michael Martens, korrespondentit të gazetës gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung” për Ballkanin, duke e akuzuar për “nxitje të urrejtjes”.
Masa lidhet me një pyetje që Martens i drejtoi presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky gjatë një konference në Beograd më 8 gusht, ku mori pjesë edhe presidenti serb Aleksandar Vuçiq. Gazetari e pyeti Zelenskyn se çfarë mund të bëjnë evropianët për ta ndihmuar Ukrainën të “vrasë më shumë rusë”, duke sqaruar më pas se bëhej fjalë për ushtarë rusë.
Pyetja shkaktoi reagime të forta, veçanërisht në Rusi dhe Serbi. Redaksia e FAZ e cilësoi formulimin si të paqartë, ndërsa Martens tha se pyetja ishte e qëllimshme dhe i referohej një deklarate të Winston Churchill gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Sipas autoriteteve ruse, gazetari mund të përballet me deri në gjashtë vite burg nëse dënohet për akuzën e ngritur ndaj tij. Ndërkohë, Asociacioni i Gazetarëve Gjermanë ka dënuar veprimin e Moskës, duke theksuar se pyetjet e gazetarëve në konferencat për shtyp nuk duhet të jenë objekt ndjekjeje penale.
Rusia i ka kërkuar gjithashtu Prokurorisë së Berlinit të vlerësojë nëse deklaratat e Martens mund të përbëjnë vepër penale sipas ligjit gjerman. Prokuroria ka konfirmuar marrjen e kërkesës, duke sqaruar se kjo nuk nënkupton automatikisht nisjen e një hetimi.






















