Partia Demokratike po përgatit një platformë digjitale që në thelb duket si përpjekje për të kopjuar praktikat që Partia Socialiste dhe Edi Rama i kanë përdorur prej vitesh. Grupi i Punës i PD-së ka gati një sistem pikësimi dhe vlerësimi për zyrtarët partiakë sipas angazhimit në rrjetet sociale, të cilin do ta prezantojë të enjten e 27 gushtit në Këshillin Kombëtar.
Platforma e re synon të monitorojë aktivitetin online të të gjithë zyrtarëve të PD-së dhe t’i vlerësojë ata me pikë. Do të ekzistojë një “mesazh i ditës” unik, që duhet të shpërndahet njësoj nga deputetët, Kryesia, Këshilli Kombëtar dhe kryetarët e degëve. Qëllimi është komunikim në kohë reale i qëndrimeve të kryetarit, akses më i shpejtë në lista dhe informim i anëtarëve e simpatizantëve. Platforma është hartuar edhe me mbështetjen e Institutit Republikan Ndërkombëtar.
Por ky model nuk është i ri. Te Partia Socialiste ai funksionon prej kohësh, edhe pse jo gjithmonë në formë të hapur dhe të formalizuar.
Edi Rama dhe PS-ja kanë përdorur prej vitesh aplikacionin “Aktivist”, ku anëtarët dhe aktivistët merrnin pikë duke pëlqyer dhe shpërndarë përmbajtje partiake, ndërsa renditeshin sipas angazhimit. Në mbledhje të brendshme, Rama u ka kërkuar vazhdimisht deputetëve të rrisin aktivitetin në Facebook, Instagram dhe X, veçanërisht në periudha tensioni, duke e cilësuar situatën si “luftë kibernetike”. Investigime të pavarura kanë dokumentuar grupe WhatsApp ku hidheshin postime për t’u shpërndarë, me vërejtje kur dikush nuk ishte mjaft aktiv – një formë e qartë monitorimi dhe vlerësimi.
Dallimi kryesor është se te PS-ja sistemi është ndërtuar rreth figurës së liderit dhe shpesh mbështetet në rrjetin e administratës, ndërsa PD-ja po përpiqet ta formalizojë atë si instrument të brendshëm partiak. Vetëm se në PD si dhe në PS partia dhe lideri janë e njëjta gjë. Në vend që të ndërtojnë diçka të re, demokratët po adoptojnë logjikën që socialistët e kanë testuar prej kohësh: kontroll i mesazhit, unifikim i komunikimit dhe matje e angazhimit digjital.
Me fjalë të tjera, pasi e kanë kritikuar për vite me radhë si “propagandë” dhe “kontroll digjital”, PD-ja tani po e kopjon.





















