
Tashmë që ethet e ndryshimeve në qeveri kanë mbërthyer jo vetëm ministrat dhe kandidatët për ministra, por kanë zbritur me shpejtësi edhe nëpër korridoret e administratës, pyetja nuk është më nëse Edi Rama do të bëjë ndryshime, por kush do të jetë brenda dhe kush jashtë fotografisë së radhës së qeverisë.
Dhe përpara se të vijë 5 shtatori, kur priten ndryshimet, kryeministri ka vendosur t’i marrë ministrat me vete në Pogradec.
Këtë fundjavë kabineti qeveritar do të zhvillojë një “retreat”, ku zyrtarisht ministrat do të raportojnë për punën e bërë. Jozyrtarisht, Pogradeci mund të shërbejë edhe si një lloj dhome pritjeje për ata që ende nuk e dinë nëse raportin e ardhshëm do ta shkruajnë nga ministria apo nga shtëpia.
Rama, sigurisht, do të dëgjojë raportet. Por, duke njohur mënyrën se si funksionojnë këto mbledhje, me gjasë do të ketë kohë edhe të lexojë mes rreshtave, fytyrave dhe heshtjeve: kush “ia ka me hile”, kush është lodhur dhe, mbi të gjitha, kush është bërë gati të qëndrojë më gjatë nga sa parashikon kryeministri.
Me këta të fundit, hesapet pritet të lahen një javë më vonë.
Më 5 shtator pritet Asambleja e Partisë Socialiste dhe aty atmosfera nuk do të jetë më ajo e qetë e Pogradecit. Do të jetë dita kur priten edhe “kokat”.
Burime brenda kabinetit të Edi Ramës thanë për VNA se më të ekspozuarit ndaj “shigjetave të Zeusit” kryeministër janë Ministria e Brendshme, Bujqësia dhe Mjedisi.
Pra, në Pogradec disa ministra mund ta shijojnë liqenin, por jo domosdoshmërisht fundjavën.
Jashtë fokusit të ndryshimeve nuk është as ministrja e Shëndetësisë, Evis Sala, për të cilën media raportoi pak ditë më parë se i kishte dorëzuar kryeministrit dorëheqjen. Dhe, siç thotë shprehja e vjetër, ku ka zë, nuk është pa gjë.
Por historia e Evis Salës duket se mund të ketë një fund disi më elegant se ajo e kolegëve që do të largohen.
Për shkak të lidhjeve të vjetra miqësore me familjen e saj, Sala nuk pritet të hidhet në “koshin e harresës” së mandatit të katërt të ministrave. Sipas fjalëve që qarkullojnë, ajo mund të caktohet në drejtimin e një instituti të rëndësishëm, me gjasë atij të tumoreve, të cilin vetë zonja Sala e prezantoi vetëm pak ditë më parë.
Pra, edhe largimi nga qeveria, si shumë gjëra të tjera në politikë, nuk është i njëjtë për të gjithë.
Deri këtu janë fjalët që qarkullojnë në kabinet dhe administratë. Emrat përfundimtarë, megjithatë, do të mbeten të tillë deri në momentin kur Rama të vendosë t’i bëjë publikë.
Dhe ndoshta pikërisht aty do të jetë pjesa më interesante.
Sepse kur ndryshimet të shpallen para kamerave, nuk do të jetë nevoja të dëgjohen shumë deklarata. Do të mjaftojë të shihen fytyrat në sallën e Asamblesë: ata që sapo kanë marrë një ministri, ata që sapo e kanë humbur dhe ata që deri në sekondën e fundit kanë besuar se do ta mbanin.
Mimikat e tyre do të thonë shumë më tepër se memecëria e një partie që tashmë i bindet prurësit më të parë.





















