
Plani i ri për Reformën Administrativo-Territoriale po ngjall reagime të forta dhe tensione të hapura politike, veçanërisht në Bashkinë e Poliçanit, ku propozimi për shkrirjen e kësaj njësie vendore dhe bashkimin e saj me Bashkinë e Beratit ka krijuar një frymë të lartë revolte.
Pritet që reagimi institucional të marrë trajtë zyrtare gjatë ditës së nesërme në mbledhjen urgjente të pushtetit vendor, ku do të shprehet qëndrimi kundër këtij propozimi.
Tensionet dhe djegia e teserrave të PS-së
Reforma e re ka shkaktuar revoltë të madhe mes bazës socialiste lokale. Të pakënaqur nga vendimi për shkrirjen e bashkisë, shumë struktura dhe mbështetës të Partisë Socialiste në Poliçan kanë dalë në protesta të haptas. Në shenjë revolte ndaj linjës zyrtare të kryeministrit Edi Rama, protestuesit kanë djegur publikisht teserat e partisë, duke deklaruar se vendimi cënon interesat e komunitetit dhe përfaqësimin lokal.
Kjo situatë ka çuar në një përplasje të ashpër mes Kryeministrit Edi Rama dhe kryebashkiakut socialist të Poliçanit, Adriatik Zotkaj. Përplasja mes tyre pasqyron përçarjen e thellë lidhur me riorganizimin e hartës territoriale, ku Zotkaj dhe strukturat vendore refuzojnë në mënyrë kategorike asimilimin e Poliçanit nga Berati.
Kryeministri Edi Rama dhe kryetari i Bashkisë së Poliçanit, Adriatik Zotkaj, u përfshinë në një përplasje gjatë një mbledhjeje me dyer të mbyllura në Kuç të Vlorës mbi reformën e re territoriale.
Debati për Poliçanin: Rama i tha Zotkajt se nuk duhet të merrte pjesë në takim pasi kishte bërë "aktin e paturpshëm të djegies së teserës së PS". Zotkaj iu kundërvu duke e quajtur vendimin për shkrirjen e bashkisë që ka votuar të majtën për 25 vjet si aktin e vërtetë të paturpësisë, dhe më pas braktisi mbledhjen.
Lajmërimi zyrtar për mbledhjen e Këshillit Bashkiak
Këshilli i Bashkisë Poliçan ka thirrur zyrtarisht një mbledhje jashtë radhe për ditën e premte, më 21 gusht 2026, në orën 10:00, në ambientet e sallës së Këshillit Bashkiak.
Mbledhja, e nënshkruar nga Kryetarja e Këshillit Mimoza Lulaj dhe Sekretarja Lindita Kondi, bazohet në nenin 53 (pika 2 dhe 4) të Ligjit nr. 139/2015 "Për vetëqeverisjen Vendore".
Rendi i ditës: "Për shprehjen e mendimit dhe të qëndrimit institucional të Këshillit Bashkiak Poliçan, mbi propozimin për shkrirjen e Bashkisë Poliçan dhe bashkimin me Bashkinë Berat, në kuadër të Reformës Administrativo-Territoriale."























