
Mbrëmja e djeshme në Luar të Roskovecit nuk ishte një nga ato netët ku dritat e fshatit fshihen nën hijen e halleve të përditshme, por një ngjarje me rëndësi "kapitale" për bilancin e arritjeve parlamentare. Deputetja e Kuvendit, Zeqine Çaushi, ka vendosur t'u tregojë me vepra zgjedhësve të saj se si zgjidhen sfidat e komunitetit: me pak muzikë, shumë buzëqeshje dhe një valle që i harron për pak orë të gjitha premtimet e mbajtura (ose jo).
Teksa sovrani vazhdon të presë zgjidhje për shqetësimet e përditshme administrative e ekonomike, përfaqësuesja e tij në Kuvend e ka gjetur formulën magjike të bashkimit dhe harmonisë popullore. Përmes një postimi në rrjetet sociale, deputetja e përshkroi kështu mbrëmjen festive:
"Mirëmëngjesi!
Me disa momente nga festa e djeshme në Luar, mes banorëve, në një mbrëmje të bukur me shumë buzëqeshje, biseda, muzikë dhe momente të këndshme së bashku.
Festa të tilla na mbajnë gjithmonë pranë njëri-tjetrit.
Luar, Roskovec"
Në ditarin e aktivitetit parlamentar, kjo zbarkim festiv në Luar merr pa dyshim një vend nderi. Në fund të fundit, përse duhet t'i hyhet shqyrtimit të projektligjeve apo diskutimeve me debate të nxehta në Kuvend, kur vendi mund të ecë përpara thjesht duke mbajtur ritmin e valles në Roskovec?






















