Opinion 21 August 2026, 07:55 Nga VNA

Rusët tërheqin miliarda nga bankat, nga frika se Kremlini mund t’ua konfiskojë kursimet për luftën

Ndaje në Whatsapp

WhatsApp Image 2026-08-20 at 9.19.33 PM.jpeg

Nga Yulia Gritsay dhe Euronews

Banka Qendrore e Rusisë raportoi se çdo muaj nga bankat po tërhiqen miliarda rubla, pasi rusët kanë frikë se Kremlini mund t’ua konfiskojë kursimet për të financuar luftën në Ukrainë, në kushtet kur ekonomia po përkeqësohet.

Gjatë shtatë muajve të parë të këtij viti, rusët tërhoqën rreth 24.4 miliardë euro nga sistemi bankar i vendit, ndërsa sulmet me dronë ukrainas ndaj rafinerive të naftës dhe infrastrukturës logjistike thelluan krizën ekonomike. Ndërkohë, u përhap frika se Kremlini mund të vendosë të ngrijë ose të shtetëzojë depozitat private për të financuar luftën në Ukrainë.

Të dhënat nga tregu financiar Banks.ru tregojnë se kërkesa për para fizike filloi të rritet në fillim të marsit dhe ka vazhduar të rritet, me rreth 300 miliardë rubla (3.05 miliardë euro) që dalin nga llogaritë çdo muaj. Pesë nga shtatë bankat më të mëdha të Rusisë kanë regjistruar më shumë dalje të depozitave të individëve sesa hyrje.

Gazprombank është prekur më shumë, duke humbur gjatë katër muajve 299.5 miliardë rubla (3.04 miliardë euro) – 10.8% të totalit të depozitave.Rosselkhozbank humbi 270.5 miliardë rubla (2.75 miliardë euro), një rënie prej më shumë se 15%. Alfa-Bank, banka më e madhe private e Rusisë, humbi 179.4 miliardë rubla (1.82 miliardë euro), ose 5.6% të depozitave. Sovcombank dhe VTB regjistruan dalje të mëtejshme prej përkatësisht 81.7 miliardë rubla (830 milionë euro) dhe 20.4 miliardë rubla (207 milionë euro). Sberbank fillimisht qëndroi e qëndrueshme, por edhe depozituesit e saj iu drejtuan parave cash: në qershor u tërhoqën 211.6 miliardë rubla (2.15 miliardë euro), të ndjekura nga 31.8 miliardë rubla (323 milionë euro) të tjera në korrik. T-Bank ishte përjashtim, duke regjistruar një rritje prej 193 miliardë rubla (1.96 miliardë euro) të vëllimit të depozitave.

Sipas Bankës së Rusisë vetëm gjatë muajit korrik sasia totale e parave fizike në qarkullim u rrit me 643.4 miliardë rubla (6.53 miliardë euro), rritja më e madhe mujore që nga fillimi i vitit. Gjatë dy javëve të para të gushtit, u tërhoqën edhe 300 miliardë rubla të tjera.

Tërheqjet po nxiten nga kombinimi i dy frikërave: që sulmet me dronë ukrainas mund të destabilizojnë sistemin financiar dhe që qeveria ruse mund të vendosë të konfiskojë ose ngrijë depozitat për të përballuar kostot në rritje të luftës. Frika e dytë lidhet me ngjarje të fundit. Sipas “Washington Post”, prokurorët rusë transferuan rreth 51.5 miliardë dollarë (44.3 miliardë euro) pasuri private nën kontrollin e shtetit vitin e kaluar.

Në qershor, autoritetet konfiskuan rreth 7.6 miliardë dollarë (6.5 miliardë euro) në pasuri të lidhura me miliarderin Vadim Moshkovich, themeluesin e kompanisë bujqësore Rusagro. Në të njëjtën kohë, Putin ka marrë nga oligarkët atë që zyrtarët e përshkruajnë si “donacione” vullnetare, me qindar-miliarda rubla që kanë kaluar në buxhetin federal deri nga mesi i gushtit, raportoi gazeta ruse e biznesit Vedomosti. Bankat ruse kanë kaluar prej vitesh kredi të drejtuara nga qeveria për industrinë e mbrojtjes, me urdhër të Kremlinit.

Edhe kompanitë e mëdha po transferojnë para jashtë kontrollit të rregullatorëve vendas. Sipas të dhënave të bankës qendrore, më shumë se 9.4 miliardë dollarë dolën nga sistemi bankar rus vetëm gjatë tremujorit të dytë të vitit 2026. Në vitin 2022, rusët gjithashtu tërhoqën sasi të mëdha parash nga bankat pas pushtimit dhe valës së parë të sanksioneve perëndimore.

Banka qendrore rriti përkohësisht normat e interesit në 20% dhe vendosi kontrolle mbi kapitalin për të stabilizuar sistemin. Këto kontrolle u hoqën më vonë dhe tërheqja masive e parave u qetësua, por trendi aktual është më i madh dhe më i zgjatur.

Pozita e përgjithshme ekonomike e Rusisë po dobësohet. PBB-ja u rrit vetëm me 0.3% në gjysmën e parë të vitit 2026, krahasuar me 1.2% në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, sipas të dhënave të vetë Kremlinit, të cilat nuk mund të verifikohen në mënyrë të pavarur.

Andrei Klepach, ekonomisti kryesor i korporatës shtetërore të zhvillimit VEB, u shkarkua gjatë fundjavës pasi kishte vënë publikisht në pikëpyetje nëse Rusia mund ta fitojë një luftë të zgjatur. “Nuk do ta fitojmë konkurrencën në këtë luftë rraskapitjeje. Jemi nën iluzionin se gjithçka do të shembet. Nuk është shembur dhe nuk do të shembet. Kostot tona po rriten”, tha ai në një forum ekonomik të Bursës së Moskës në maj.

Video

Gjykata e Posaçme zbuti masën e sigurisë për Gentian Gjylin, ish-kreun e ARRSH-së. Nga arrest shtëpie, ndaj tij u caktuan masat e detyrimit për paraqitje dhe ndalim për të dalë jashtë vendit.

Momente dramatike janë regjistruar në ujëvarën Mae Sa, në Chiang Mai të Tajlandës, ku një përmbytje e befasishme mori përpara disa turistë brenda pak sekondash. Pamjet tregojnë ujin që vërshon me forcë, ndërsa disa persona humbin ekuilibrin dhe rrëmbehen nga rrjedha. Rojet e parkut ndërhynë menjëherë dhe arritën t’i nxirrnin të gjithë në siguri. Fatmirësisht, turistët shpëtuan pa lëndime serioze, duke pësuar vetëm disa gërvishtje të lehta. Autoritetet kanë kërkuar kujdes të shtuar gjatë sezonit të shirave, kur përmbytje të tilla mund të ndodhin papritur.

Një aksident i rëndë ajror ka ndodhur në aeroportin Carlisle, në Pensilvani, ku një avion i vogël Cessna 150 u përplas me një helikopter Bell 407 të Policisë së Shtetit. Nga përplasja humbi jetën piloti 57-vjeçar Paul Sokoloski, ndërsa dy efektivët që ndodheshin në helikopter mbetën të plagosur. Pamjet e publikuara tregojnë momentin e fortë të përplasjes, teksa helikopteri ndodhej pranë tokës. FAA dhe NTSB kanë nisur hetimet për të zbardhur shkaqet e aksidentit.

Një grua ka mbetur e habitur pas eksperiencës së saj të parë me dërgesën me dron, kur porosia e saj nga Amazon, në vend që të mbërrinte e sigurt në oborr, përfundoi direkt në pishinë. Droni mbërriti mbi banesë për të dorëzuar pakon, por momenti teknologjik nuk shkoi tamam sipas planit: paketa u lëshua dhe ra në ujë.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme