
Nga Silva Shametaj Ruli
Kur mjekësia harron njeriun
Ka raste që nuk lënë pas vetëm një histori klinike. Lënë një pyetje: Çfarë shohim ne përballë nesh, një diagnozë apo një njeri?
Është e lehtë të mbrosh dinjitetin e atij që gëzon respektin e të gjithëve. Më e vështirë është ta mbrosh kur përballesh me dikë që shoqëria e ka etiketuar, gjykuar dhe braktisur.
Pikërisht aty fillon mjekësia. Nuk fillon aty ku pacienti “e meriton kujdesin”. Mjekësia është pikërisht bindja që ka mjeku se kujdesi nuk fitohet me meritë. Kujdesi është një e drejtë.
Asnjë varësi, asnjë patologji, asnjë histori personale nuk e zvogëlon vlerën e një jete njerëzore. Dhe as nuk i jep askujt të drejtën të përdorë intimitetin klinik si argument për të fituar mirëkuptimin e opinionit publik.
Momenti kur ne, si mjekë, fillojmë të justifikojmë veten duke ekspozuar pacientët, është momenti kur kemi humbur diçka më të rëndësishme se një debat publik.
Konfidencialiteti nuk është një formalitet ligjor. Është forma më e lartë e respektit për njeriun që, në momentin e tij më të brishtë, ka zgjedhur të na besojë.
Kur humbet ky respekt, nuk dëmtohet vetëm një pacient. Plagoset vetë besimi te profesioni. Pikërisht në çastin kur askush nuk na detyron të jemi të drejtë, aty maten edhe vlerat e një mjeku.
Kur nuk kemi qenë të aftë të kuptojmë se sekreti profesional mbron pacientin, duhet të kishim kuptuar se heshtja mbron dinjitetin e profesionit.
Sepse, në fund, historia nuk do të kujtojë sa të aftë ishim kur operonim.
Do të kujtojë nëse, përballë vuajtjes, mbetëm njerëz.






















