Presidenti iranian, Masoud Pezeshkian, deklaroi se ka ardhur koha për t’i dhënë fund konfliktit disamujor me Shtetet e Bashkuara, duke pretenduar se Irani ndodhet në një pozicion të favorshëm.
“Është më mirë që ta përfundojmë luftën tani, pasi jemi në një pozicion pushteti dhe dinjiteti”, deklaroi Pezeshkian. Ai akuzoi gjithashtu SHBA-në për sulme ndaj shkollave, spitaleve dhe infrastrukturës iraniane, duke pretenduar se Washingtoni ka shkelur rregullat ndërkombëtare.
Ndërkohë, Ministria e Jashtme iraniane ka akuzuar Shtetet e Bashkuara për “terrorizëm ekonomik”, pas paralajmërimeve të Washingtonit për zgjerimin e sanksioneve ndaj Teheranit.
SHBA-ja u ka bërë thirrje edhe vendeve të tjera, përfshirë Kinën, që t’i bashkohen përpjekjeve për të rritur presionin ekonomik ndaj Iranit. Teherani, i përballur prej vitesh me sanksione të gjera perëndimore, ka përdorur mekanizma të ndryshëm për t’i anashkaluar ato, përfshirë prodhimin vendas, rrjetet informale të tregtisë dhe flotën në hije për transportin e naftës.






















