
How to Sell a Genocide: The Media’s Complicity in the Destruction of Gaza” (Si të paraqesësh një gjenocid: Bashkëfajësia e medias në shkatërrimin e Gazës), nga shkrimtari amerikan Adam Johnson, u hoq nga Biblioteka Waverley.
Stuti Mishra
Një bibliotekë në Sidnei ka hequr nga raftet, për ta shqyrtuar, një libër mbi mënyrën se si mediat kanë raportuar për luftën në Gaza, pasi një e mbijetuar e sulmit në Plazhin Bondi tha se ishte shqetësuar kur e pa librin të ekspozuar.
Libri “How to Sell a Genocide: The Media’s Complicity in the Destruction of Gaza”, i autorit amerikan Adam Johnson, u tërhoq nga Biblioteka Waverley, e cila u shërben banorëve të Bondit dhe periferive përreth në lindje të Sidneit. Kjo zonë është shtëpia e një prej komuniteteve më të mëdha hebraike në Australi. Biblioteka ndodhet gjithashtu pranë vendit të sulmit të dhjetorit, ku u vranë 15 persona.
“Libri është hequr nga raftet e bibliotekës për shqyrtim dhe këshilli do të shqyrtojë më tej procedurat për të siguruar mbikëqyrje më të rreptë të përzgjedhjes së librave”, tha një zëdhënës i Këshillit të Waverley.
Këshilli tha se, si shumica e bibliotekave publike, ia beson një pale të jashtme përzgjedhjen, porositjen dhe blerjen e librave, ndaj vendimi nuk ishte marrë nga punonjësit e tij.
Heqja e librit pasoi një raport të publikuar javën e kaluar nga shërbimi hebre i lajmeve JWire, sipas të cilit një e mbijetuar e sulmit kishte shkruar në Facebook se ishte shqetësuar kur kishte gjetur librin në raftin e botimeve të reja të bibliotekës.
Këshilli ka marrë disa ankesa për librin. Ai vazhdon të jetë pjesë e katalogut të bibliotekës dhe mund të rezervohet ende.
Johnson reagoi ndaj heqjes së librit në një deklaratë për “The Guardian”: “Duket se kundërshtimi i tyre lidhet kryesisht me faktin që titulli përdor fjalën ‘gjenocid’”, tha ai.
“Por ‘gjenocid’ nuk është fjala ime dhe as përfundimi im. Fakti që në Gaza po ndodh gjenocid është konsensusi dërrmues i botës së të drejtave të njeriut dhe një opinion tërësisht i zakonshëm mes atyre që merren me studimin dhe përcaktimin e çështjeve të tilla. “Që kjo i shqetëson disa njerëz është për të ardhur keq, por realiteti shpesh është shqetësues. A planifikojnë zyrtarët e Sidneit të heqin nga bibliotekat edhe librat pro-Izraelit, sepse mund të shqetësojnë pjesëtarë të këtyre komuniteteve?”
Vendimi ka marrë reagime të ndryshme. Alex Ryvchin, bashkëdrejtor ekzekutiv i Këshillit Ekzekutiv të Hebrenjve Australianë, e mirëpriti vendimin. “Një libër i këtij lloji nuk ka vend në raftet e një biblioteke, veçanërisht në një bibliotekë që ndodhet vetëm pak minuta larg vendit ku australianët u masakruan, kryesisht për shkak të çnjerëzimit të hebrenjve përmes pikërisht këtij lloj shpifjeje”, i tha ai Sydney Morning Herald. “E përgëzoj personin që e vuri re librin, vetë një e mbijetuar e masakrës, dhe ndërmori hapa për ta hequr.”
Bart Shteinman, anëtar i drejtuesve të Këshillit Progresiv Hebre të Australisë, e cilësoi heqjen e librit si thellësisht alarmante. “Bibliotekat publike u përkasin të gjithëve dhe duhet të ofrojnë një gamë të gjerë pikëpamjesh dhe temash, qofshin libra për familjet queer apo për krimet e luftës të Izraelit, të dënuara gjerësisht”, tha ai.
Libri u botua në prill nga Pluto Press, një shtëpi botuese britanike me seli në Londër, e cila e përshkruan veten si një botuese politike radikale. Libri argumenton se lufta e Izraelit në Gaza nuk do të kishte mundur të vazhdonte pa atë që autori e quan bashkëfajësinë e vazhdueshme të mediave amerikane.
Izraeli e ka mohuar vazhdimisht se po kryen gjenocid në Gaza. Heqja e librit vjen dy muaj pasi parlamenti i Uellsit të Ri Jugor ndryshoi Ligjin e Bibliotekave të shtetit për të mbrojtur lirinë e bibliotekave në zgjedhjen e materialeve që mbajnë. Ministri i Arteve, John Graham, tha se ndryshimi do të shërbente si mbrojtje ndaj një vale ndalimesh librash të ngjashme me ato që janë parë në SHBA. Sipas raporteve të dorëzuara në Shoqatën Australiane të Bibliotekave dhe Informacionit, që nga viti 2023 janë bërë më shumë se 300 përpjekje për të hequr mbi 180 tituj nga raftet e bibliotekave australiane.
Dy persona të armatosur sulmuan një aktivitet për Hanukan në Bondi Beach, duke vrarë 15 persona, në të shtënat masive më të rënda në Australi në gati 30 vjet. Njëri prej personave të dyshuar për sulmin, i identifikuar si Sajid Akram, 50 vjeç, u qëllua nga policia. Djali 24-vjeçar i tij dhe bashkëpunëtori i dyshuar, i identifikuar nga mediat lokale si Naveed Akram, ishte në gjendje kritike në spital pasi edhe ai u qëllua.






















